Në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës konstatohet se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit nuk është konstatuar ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore e karakterit psikotik. RTV Dukagjini ka siguruar dokumentin e raportit konstatues të Institutit të Forenzikës
Dardan Krivaqa, i cili dyshohet që në mënyrë çnjerëzore ia ka marrë jetën Marigona Osmanit, nuk ka probleme apo çrregullime mendore.
Kështu konstatohet në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, në të cilën, po ashtu thuhet se ai është përdorues i substancave narkotike, por që kjo nuk ka ndikuar që ai të ketë prapambetje mendore.
“Te i ekzaminuari Dardan Krivaqa nuk është konstatuar ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore e karakterit psikotik. Nuk është konsistuar prapambetje mendore. Sipas te dhënave poseduese, i njëjti eshtë përdorues i substancave psikoaktive”, thuhet në dokument.
Te Krivaqa është konstatuar se ka çrregullim të personalitetit antisocial dhe se sipas ekzaminimit, ai është manipulues dhe i pëlqejnë sjelljet agresive./Dukagjini
“Te i ekzaminuari është konstatuar dg/Çrregullim i personalitetit antisocial, i cili sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, kodohet me shifren F-60.2 ( ICD-10). Personat e tillë karakterizohen me sfera të shthurura të funksionimit jetësor me rrahje, kërcënime, gënjeshtra, ikje nga shtëpia, probleme në raportet ndërnjerëzore, me familjen, me rrethin, probleme në punë, abuzim me substanca, aktivitete ilegale të cilat kanë filluar që në fëmijëri. Janë manipulues dhe u pēlqejnë aktivitetet, të cilat lehtë sjellin të holla dhe famë. Nuk pendohen për veprimet e tyre dhe çdoherë ua hedhin fajin të tjerëve për veprimet e tyre. Mungesë keqardhjeje për secilin prej sjelljeve të mësipërme. Ndonëse mund të jenë edhe arrogantë, por janë gjithmonë të aftë të duken tërheqës në situata të caktuara”, thuhet tutje në dokument.
Po ashtu, në dokument thuhet se “Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, aftësia e tij mendore që të kuptojë rëndësinë e veprës si dhe aftësia e kontrollit të veprimeve të tij ka qenë e ruajtur. Kjo është e bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën e ngjarjes para, gjatë dhe pas veprës”.
I dyshuari sipas ekzaminimit, “Mund të marrë pjese në seancë gjyqësore. Është i aftë për ta mbrojtur veten, që të konsultohet me persona të tjerë, duke përfshirë mbrojtësin, si dhe ka aftësinë për të kuptuar akuzën dhe përballuar gjykimin”.