Studentët kanë nisur një peticion përmes të cilit synojnë kundërshtimin e shqyrtimit të idesë së heqjes së emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës.
Në dy ditët e para janë mbledhur të paktën 2 mijë nënshkrime, derisa sipas organizatorëve janë marrë firmat edhe nga disa dekanë, profesorë e edhe nga stafi i administratës, raporton Klan Kosova.
Ekipet me listat e peticioneve janë të shpërndara në disa fakultete, derisa nënshkrimet do mblidhen deri të premten e më pas do dorëzohen tek organet e UP-së.
Ideja për heqjen e emrit “Hasan Prishtina” nga UP-ja, për çka Klan Kosova ka raportuar e para, ka rrjedhur në takimet e ekipit punues për ndryshimet statutare.
Rektorati e pati arsyetuar propozimin për reduktim të emrit me trashëgiminë e këtij institucioni, me pretendimin se është Universiteti i vetëquajtur i Prishtinës në Mitrovicën e Veriut që pretendon vazhdimësinë e UP-së.
“Një ndryshim i tillë, që nuk e ka edhe vetëm emrin origjinal, mund të paraqitet i disfavorshëm edhe ligjërisht për Universitetin tonë, përfshirë këtu kontestet eventuale që lidhen me trashëgiminë, pasurinë pronësore dhe të mirat e tjera materiale dhe jo-materiale”, thuhet në një prej reagimeve të këtij institucioni.
Propozimi për ndryshimin e emrit të UP-së është në fazën e diskutimit ne grupin punues, derisa për miratimin e heqjes së emrit duhen një mori veprime e faza, deri te votimi në kuvend. /Klankosova.tv