Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një aksion të Njësisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj në rajonin e Prishtinës dhe Podujevës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se aksioni po kryhet në disa lokacione dhe cak i bastisjes janë disa shtëpi dhe objekte përcjellëse të personave që dyshohen për veprën penale të fajdesë dhe identifikimin e sekuestrimin e provave materiale që do të përdoren në procedurën e mëvonshme kundër tyre.
Sipas burimeve, bastisja e sotme është në vazhdën e aksioneve të mëhershme që kanë rezultuar nga rasti i njohur si ‘Brezovica’, mirëpo nuk lidhet me Brezovicën.
Sinjali ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit, Rasim Maloku, por i njëjti ka refuzuar që të japë detaje.
“Veç jam pak nxanë., ma vonë qetash dalim me një komunikatë se e di që ka diçka, po veç ta konfirmojmë edhe niherë ma mirë. Dalim me komunikatë për media qetash”…, tha shkurtimisht Maloku.
Sinjali mëson se deri më tani disa persona të dyshuar kanë rënë në prangat e Policisë, teksa aksioni po vazhdon ende.
Ekskluzive: Krimet e Rënda aksion kundër fajdesë në Prishtinë e Podujevë, disa të arrestuar