Një 95-vjeçare, që ishte goditur me elektroshok nga Policia në një shtëpi kujdesi në Australi javën e kaluar, ka humbur jetën.
Sulmi ngjalli një reagim publik në Australi.
Policia që e sulmoi të moshuarën, tashmë të ndjerë, me elektroshok, po përballet me një sërë akuzash.
“Kjo çështje tash është në gjykatë dhe nuk mund të flasë më tepër sesa të them se familja Nowland është informuar për zhvillimin dhe mendja dhe lutjet tona janë me znj. Nowland dhe familjen e saj”, tha të martën komisarja e Policisë së New South Wales, Karen Webb.
Javën e kaluar, Policia ishte ftuar rreth orës 4 të mëngjesit në shtëpinë e kujdesit ku ishte Nowland e vendosur. Ishte raportuar se ajo kishte një thikë në dorë.
“Në momentin kur ajo u godit me elektroshok, po i afrohej policëve. Është fer të thuhet se ishte me tempo të ngadaltë, por ishte duke ecur dhe kishte thikë në dorë”, ka thënë të premten ndihmës-komisari i Policisë së New South Wales, Peter Cotter.
Ngjarja ishte kapur nga kamerat trupore të policëve, por nuk është bërë publike. Një shok i familjes së Nowlandit, ka thënë se ajo nuk ishte në gjendje të ngrihej e vetme në këmbë dhe kishte vetëm 43 kilogramë e ishte 158 centimetra e gjatë. Ajo vuante nga demenca./Koha.net