Ora e perandorit të fundit kinez shitet për 6.2 milionë dollarë

Ora e dorës e perandorit të fundit kinez u shit në ankand për shumën rekorde 6.2 milionë dollarë. Është një orë “Patek Philippe Ref 96 Quantieme Luna” që i përkiste perandorit Puyi të dinastisë Qing, shkruan Reuters.

Jeta e këtij perandori ishte frymëzim për filmin “Perandori i fundit” i vitit 1987. Blerësi i orës është një koleksionist që jeton në Hong Kong dhe e bleu atë përmes një ankandi telefonik.

Shtëpia britanike e ankandeve Phillips ka thënë se kjo është orë e rrallë të cilën Puyi ia ka dhënë për ruajtje përkthyesit rus Pernjakov, ndërsa ai ishte i burgosur në Bashkimin Sovjetik. Çmimi i shitjes e tejkaloi vlerësimin parashitës prej tre milionë dollarësh.

Thomas Perazzi i shtëpisë së ankandit Phillips ka thënë se ishte çmimi më i lartë për orën në krahasim me çdo orë dore tjetër që i përkiste një perandori.

Puyi lindi në vitin 1906 dhe ishte perandori i fundit i dinastisë kineze Qing. Mbretërimi i tij filloi kur ai ishte vetëm dy vjeç dhe në vitin 1912 u detyrua të abdikonte.

Ref 96 konsiderohet të jetë ora e parë komplekse e dorës që Patek Philippe e vuri në prodhim seri. Perazzi theksoi se ka vetëm tre kopje të kësaj ore./Koha.net