Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka theksuar se dhuna e sotme në veri duhet të ndalohet menjëherë.
“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Masa e dhunshme sot duhet të ndalohen menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Të premten kryetarët e rinj të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan tentuan të hynin në objektet komunale, një ditë pas betimit, por u përballën me qytetarë serbë që bllokuan hyrjet e objekteve komunale. Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa të paktën dy kryetarë mësohet të kenë hyrë në objektet komunale.
Nga incidentet e sotme në veri, pesë policë janë lënduar, por më pas u janë kthyer detyrave policore. Ndërkohë, janë dëmtuar edhe katër automjete, përfshirë një i djegur. Është sulmuar edhe ekipi i KOHËS.