I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën që vjen, më saktësisht të hënën dhe të martën, kanë bërë të ditur burimet diplomatike në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.
Vizita e tyre, sipas këtyre burimeve, do të ketë dy qëllime kryesore:
Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.
Ndërsa qëllimi i dytë do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.
Bashkimi Evropian e kishte quajtur arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve si një “dalje nga faza e menaxhimit në krizave në një fazë të normalizimit”.
Mirëpo, për shkak të përshkallëzimit të situatës ditëve të fundit në veri të Kosovës, për çka përgjegjësia iu bart autoriteteve të Kosovës, të cilat insistuan që kryetarët e zgjedhur të komunave të hynë në ndërtesa, prapë aktiviteti i BE-së është kthyer në menaxhimin e krizave.
Diplomatët në BE thonë se duhet siguruar që tensionet e fundit në veri të mos e rrezikojnë marrëveshjen e arritur, prandaj bëjnë thirrje që tensionet të ulen menjëherë dhe në mënyrë të pa kusht, dhe që palët t’i kthehen dialogut dhe procesit të normalizimit.
Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Përshkallëzimi në veri të Kosovës kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.
Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë./Dukagjini