Serbët e maskuar i sillen kah banesa nënkryetares së Leposaviqit, kërcënohet edhe nga zyrtari i Zveçanit

Tensionet në katër komunat veriore, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga popullata me shumicë serbe në atë zonë kanë kulmuar të hënën kur KFOR-i ndërhyri në Zveçan par të shmangur përplasjet. Një ndër kërkesat e serbëve është tërheqja e kryetarëve të zgjedhur nga objektet komunale. Teksa akoma nuk është gjetur një zgjidhje, incidentet po vazhdojnë, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç kryetarëve të rinj, të cilët tashme janë cak i kanosjeve, e ofendimeve, edhe zyrtarët e tjerë të zgjedhur në këto komuna siç duket po përballen me raste të tilla

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije se nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të provokimeve e kërcënimeve që po merr që nga dita kur ka marrë këtë pozitë.

Dragana Miletiq ka raportuar se persona të maskuar po sillen afër banesës se saj, në orët e mbrëmjes, duke i shkaktuar frikë për sigurinë e saj.

Për të mos mbaruar me kaq, Miletiq ka raportuar se ka marrë mesazhe kërcënuese edhe nga një zyrtar i komunës se Zveçanit.

Sipas informacioneve të para, ai dyshohet ta ketë paralajmëruar se do ta pësojë keq, duke i thënë se “kam me ta hap krytë edhe e sheh ti…”.

Bazuar në dëshminë e dhënë në Polici, kanosjet ndaj saj po vazhdojnë prandaj e njëjta i ka raportuar këto raste.

Pas dhënies së deklaratës dhe përfundimit të procedurave të tjera, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Kanosje”. /GazetaSinjali