A mund të kthehen vizat, katër skenarët kur mund të aktivizohet mekanizmi i pezullimit

Kosova – sikurse edhe vendet e tjera që gëzojnë lëvizje të lirë – do të jetë nën llupën e BE-së. Blloku ka mekanizma ndëshkues nëse vëren që qytetarët e një vendi joanëtar keqpërdorin lëvizjen pa viza. Më 16 maj, Komisioni Evropian tha se Serbia po e rrezikon këtë regjim, për shkak të lehtësimit të procedurave për dhënien e shtetësisë të të huajve.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është marrë tashmë në instancat më të larta të BE-së, por pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Të gjithë ju që planifikoni ta shfrytëzoni të drejtën e udhëtimit pa viza në zonën Schengen, nisur nga janari i vitit 2024, duhet t’i keni parasysh edhe disa rregulla. Në të kundërtën, Bashkimi Evropian ka në dorë atë që quhet: Mekanizëm i pezullimit të vizave.

Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE’së, siç është në këtë rast Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat nëse bën keqpërdorime.

Janë katër skenarë kur mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej: Rritja e migrimit të parregullt, kërkesa për azil me shkallë të ulët pranimi, rënia e bashkëpunimit për riatdhesim dhe në rast të shtimit të rrezikut për sigurinë e vendeve anëtare të BE’së.

Rregulli kryesor që duhet ta kenë parasysh qytetarët është se liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë- brenda gjashtë muajsh- në cilindo prej 27 shteteve anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme dhe asesi për punë apo përfitime të tjera.

Të dhënat e Agjencisë së BE’së për Azil tregojnë se vetëm gjatë vitit 2022 mbi 3 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për azil në vendet e këtij blloku dhe kjo e drejtë u është njohur vetëm 8 përqind prej tyre.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit nuk parasheh krizë të migrimit nga Kosova, pas liberlizimit të vizave. Problemet eventuale, sipas saj, mund të zgjidhen përmes rritjes së vetëdijësimit.

Qeveria e Kosovës thotë se ka përgatitur një fushatë vetëdijësuese për qytetarët në lidhje me lëvizjen e lirë, dhe se aktivitetet në këtë drejtim do të nisin muajt e ardhshëm.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut e gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa voza nga viti 2009, ndërkaq Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina nga viti 2010.

Edhe pse ua ka tërhequr vërejtjen dissave për keqpërdorime të mundshme, BE’ja nuk i ka rikthyer vizat për asnjërin nga këto vende./REL