A rrezikon Kosova “të zbrazet” pas liberalizimit të vizave?





Liberalizimi i vizave për Kosovën thuhet se kurrë nuk ka qenë më afër.

Kjo për shkak se të hënën e 26 shtatorit u raportua se Këshilli i Bashkimit Evropian më 13 tetor, ditën kur do ta mbajë mbledhjen e radhës, ka vendosur në rend dite temën e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjë që do të ndodhë për herë të parë prej kur Kosova ka marrë udhërrëfyesin për vizat në vitin 2012, shkruan arbresh.info.

Udhërrëfyesi i vizave është një dokument i lëshuar nga Komisioni Evropian, i cili cakton të gjitha kriteret që një vend duhet të përmbushë në mënyrë që atij shteti t’i liberalizohen vizat.

E në vitin 2018, Komisioni vlerësoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e parapara dhe rekomandoi në Këshill të Ministrave (organi që merr vendim për këtë çështje në BE) që shtetit të Kosovës t’i hiqen vizat dhe kështu, t’i mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve të saj nëpër Evropë.

Meqenëse këto kritere janë plotësuar qysh moti, atëherë lirisht mund të thuhet se popullit të Kosovës i është bërë padrejtësi sa i përket kësaj çështje.

I gjithë ky hezitim i BE për ta dhënë ‘dritën e gjelbër’ erdhi pasi që Franca dhe Holanda u treguan skeptike për heqjen e vizave ndaj Kosovës.

Ky skepticizëm i tyre erdh si pasojë e parregullsive të mëhershme që kishin ndodhur me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, të cilat pasi fituan liberalizimin në vitin 2009, respektivisht 2010, Evropa u ‘vërshua’ nga emigrantët që vinin nga këto shtete.

Pra, mund të thuhet lirisht se ajo që ndodhi në këto tri shtete, e morri në ‘qafë’ Kosovën dhe lëvizjen e saj të lirë.

Ndërkaq, edhe ekspertët e politikës së jashtme e sidomos diplomacisë kosovare në raport me këtë çështje, thonë se Kosova tani është fare pranë arritjes së këtij qëllimi.

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Mimoza Ahmetaj, pas këtij lajmi, ka thënë se qytetarët e Kosovës tani kanë arsye për t’u gëzuar dhe ky lajm i mirë vjen pas situatës së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Më 13 tetor në Luksemburg, ministrat e drejtësisë dhe të brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, do të takohen për një takim informal ku temë e ditës do të jetë çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Besoj që tani kemi arsye të gëzohemi. Ky lajm vjen pas rrethanave të reja politike që janë në Evropë, pas luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Ne presim që edhe Kosovës t’i liberalizohen vizat”, ka deklaruar ajo.

Në një bisedë me arbresh.info, analisti politik Fatmir Sheholli, ka thënë se me futjen e liberalizimit të vizave në rend dite në Këshillin Evropian, duhet të marrë fund secila padrejtësi që i është bërë Kosovës gjatë tërë këtyre viteve. Ai shpreson se tani, më në fund, BE do të jetë e sinqertë në lidhje me këtë çështje.

“Të shpresojmë dhe besojmë që kësaj radhe përfundimisht BE të tregohet e sinqertë me qytetarët e Kosovës. Kosova ka vite të tëra që i ka plotësuar kriteret e caktuara për liberalizim të vizave, andaj kjo padrejtësi ndaj Kosovës duhet nga ana e BE-së të jetë fundi i çdo padrejtësie ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sheholli për arbresh.info.

Sipas tij, të gjitha vendet evropiane kanë ndërruar qëndrimin negativ në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe beson se më së largu vitin tjetër do të arrihet kjo.

“Konsideroj që e tërë BE-ja ka reflektuar për këtë çështje. Mendoj që vitin tjetër do të kemi liberalizim të vizave”, ka theksuar Sheholli për arbresh.info.

Edhe pse 13 tetori dhe ajo çka do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Evropian po pritet me kërshëri nga populli i Kosovës, dikush e sheh si rrezik për shtetin në rast të hapjes së rrugës për qytetarët për të lëvizur përtej kufijve.

Opinionisti, Nexhmedin Spahiu, në një bisedë për redaksinë tonë ka pohuar se liberalizimin e sheh si rrezik për vetë funksionimin e shtetit. Rrezikun ai e sheh te zbrazja e vendit dhe rrjedhimisht, çrregullimin e ekonomisë së Kosovës.

“Është rrezik për Kosovën e cila edhe ashtu po zbrazet. Në rastin e liberalizimit të vizave është rrezik që të kemi një zbrazje masive, një bllokim të institucioneve të Kosovës dhe një çrregullim të jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit”, ka deklaruar Spahiu për arbresh.info.

Spahiu ka shtuar se nuk mund të japë një parashikim se a është afruar liberalizimi i vizave për Kosovën, megjithatë, sipas tij, përkundër dëshirës së madhe të qytetarëve për të lëvizur lirshëm dhe lehtësimin që do ta kishin për të udhëtuar, kjo paraqet rrezik për vendin dhe mund të çojë deri në bllokimin e institucioneve.

“Nuk e di, mbetet të shohim se çfarë do të vendosë Bashkimi Evropian për këtë çështje, por, unë them se sado që pjesa më e madhe e qytetarëve e dëshirojnë liberalizimin e vizave, pjesa më e madhe për me ikë prej Kosovës, një pjesë për me lëvizë lirshëm pa pasur nevojë me pagu pare dhe të presin radhë nëpër ambasada, me arsye natyrisht e kërkojnë një gjë të tillë. Përgjithësisht si shoqëri, mendoj se kjo do të jetë një rrezik i madh që një pjesë e madhe e popullsisë të largohet nga Kosova dhe kësisoji të bllokohen shumë institucione të vendit”, ka theksuar Spahiu për arbresh.info.

Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e ka marrë dritën jeshile për të lëvizur lirshëm në zonën Schengen.

Gjithsesi, këtë herë, me insistimin e madh të Republikës Çeke, e cila e ka presidencën e BE-së deri në fundin e këtij viti, premtimet e institucionit më të madh evropian duken më serioze dhe si rrjedhojë, edhe liberalizimi i vizave duket mjaft afër.