Albin Kurti: Do t’i njohim targat e Serbisë kur të sigurohemi se po e zbatojnë vendimin për targat RKS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova do të fillojë njohjen e targave të Serbisë sapo që ta shohë se kjo e fundit po i njeh ato të Kosovës.

Kurti këtë e ka thënë në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, duke thënë se do të jetë policia kufitare që do ta vërtetojë një gjë të tillë.

“Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore do ta marrim sapo që policia jonë kufitare do të dokumentojë dhe vërtetojë që Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj”, deklaroi shefi I Qeverisë.

Tutje, ai pati rezerva për Qeverinë e Serbisë për çështjen e targave, duke thënë se ishin ata që e shfrytëzuan si kauzë për destabilizim.

“Targat në Kosovë në shtator të vitit 2021 përdoreshin edhe për të kërcënuar Kosovën edhe përmes MIG+29 dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit nëpërmjet 16 barrikadave. Kurse në dhjetor sivjet, po përdorën për të ulur preisonin nga Perëndimi demokratik, BE dhe SHBA, mbi Serbinë për zgjedhjet jodemokratike dhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike që ka bërë letra e Bërnabiqit drejtuar Këshillit Europian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë. Kështu duhet të lexohet ky hap i Serbisë që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit është një manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”.