Albulena Haxhiu: Vrasësit e Liridonës duhet të marrin dënimin e merituar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vrasësit e Liridona Ademajt, duhet të marrin dënimin e merituar nga institucionet e drejtësisë. Ministrja ka theksuar se rasti i vrasjes së Liridonës tregon se ende ka shumë punë për të bërë në drejtësi dhe se çdo individ në Republikën e Kosovës duhet të respektojë dinjitetin e të tjerëve.

Vrasësit e Liridona Ademajt duhet të marrin dënimin e merituar nga institucionet e drejtësisë, kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu këtë deklaratë e ka dhënë në konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”.

Ne kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi baza gjinore”, Haxhiu ka shtuar se gjatë këtyre ditëve kanë organizuar aktivitete të shumta, sepse siç tha ajo, janë të shqetësuar me dhunën.

Ajo ka përmendur vrasjen e Liridona Ademajt, ku në mesin e tre të dyshuarve të arrestuar është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

“Një rast i cili duhet të marrë dënimin e merituar nga institucionet tona të drejtësisë. Rasti qe ndodhi para pak ditësh është dëshmi se kemi ende shumë punë për të bërë. Të gjitha institucionet duhet të jenë në krye të detyrës. Askush në Republikën e Kosovës nuk ka të drejtë të cenojë dinjitetin e askujt”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka theksuar se është çnjerëzore detyrimi i heqjes së fëmijës femër.

“Betejat e këtij rangu kërkojnë qëndrime dhe veprime. Sipas të dhënave të vitit 2022, janë raportuar 1070 aborte, shifër kjo qe mund të jetë shumë më e lartë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka theksuar se aborti selektiv ndikon në aspektin emocional dhe psikik të nënave.

“Ky fenomen prek më shumë vajzat, fatkeqësisht edhe Kosova është një nga vendet”, ka shtuar Nagavci.

Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-s, Visare Mujko Nimani ka thënë se ndër vite ka pasur më shumë lindje të djemve se vajzave./KP