Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti të martën raporton që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.
Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.
Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Krerët shtetërorë të Kosovës mirëpritën vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist për një vendim pozitiv në Këshillin e Ministrave në maj.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Është themeluar më 1949.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].
Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Megjithatë, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave në maj.
Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Ky shtet kishte propozuar disa amadamente në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë.
Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës. Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këto amadamente nuk kaluan.
Çfarë u tha tjetër gjatë debatit në Strasburg?
Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, që është ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis, në fillim të debatit tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale, duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Ajo ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.
Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo tha se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, u shpreh se kjo ka qenë një gurthemel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja. Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.
Bakoyannis po ashtu tha se ka kërkuar nga Kosova të sigurojë që shpronësimet e pronave të pakicës serbe të kryhen në respektimin më të rreptë të ligjit dhe se, në rast të pranimit të Kosovës, shpronësimi i paligjshëm i tokës do t’i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Nerea Ahedo, deputete nga Spanja, tha se i takon grupit që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, përkundër qëndrimit të shtetit të Spanjës, dhe e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ka pyetje që duhet të zgjidhen. Anëtarësimi do të forconte të drejtat e njeriut. Ne do të mbështesnim këtë rrugë [të anëtarësimit]. Mirëpresim integrimin dhe mendojmë që kjo do të jetë edhe një mënyrë për të promovuar stabilitetin në atë zonë”, tha Ahedo.
Oleksii Goncharenko, deputet ukrainas mbështeti anëtarësimin e Kosovës.
“Dua të uroj Kosovën. Kosova e meriton. Bota e lirë duhet të bashkohet”, tha deputeti Goncharenko, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Deputeti gjerman Frank Schwabe përgëzoi raportin për Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj.
“Këshilli i Evropës, me vlerat tona dhe rregulla dhe kemi dinjitetin tonë. Ky anëtarësim nuk është një mjet për negocim. Ju kërkoj të mbështesni raportin e balancuar dhe t’i refuzoni amendamentet që e rrezikojnë këtë baraspeshë”, tha ai.
Alain Milon nga Franca tha se do të votojë pozitivisht, por se “raporti nënvizon madhësinë e punës që duhet të bëjë Kosova si themelimi i Asociacionit”… që sipas tij, hapa për këtë mund të bëhen para votimit në maj.
Ndërkohë, Iulian Bulai, anëtar nga Rumania, shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës dhe se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Lufta jonë nuk është për shtetet, por për të drejtat e individëve. Kosova është gati dhe meriton të pranohet në Këshillin e Evropës, por duhet të sigurojë një mbrojtje të duhur për komunitetin serb”, tha Bulai si përfaqësues i grupit, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës.
Piero Fassino nga Italia tha se të drejtat e pakicës serbe mund të mbrohen më mirë nëse Kosova është pjesë e Këshillit. Duke folur për Asociacionin, ai shprehu shqetësimin që ky trup të mos duket si Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Disa delegatë nga Italia paraprakisht kishin propozuar që të shqyrtohet detyra e Kosovës për themelimin e Asociacionit para se Këshilli i Ministrave të vendosë për pranimin eventual tëPse do të ishte i rëndësishëm për minoritetet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës?
Edhe deputeti grek, Alexis Tsirpas, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Lulzim Basha, nga Partia Demokratike në Shqipëri, tha se ata që ruajnë interesat e serbëve në Kosovë do të duhej të kërkonin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në mënyrë që ata t’i gëzojnë përfitimet nga të qenet pjesë e kësaj organizate.
“Ju keni vendosur të shkelni ligjin ndërkombëtar”
Në anën tjetër, Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Evropiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua më 16 prill.
Një ndër arsyet kryesore, siç tha ai, është çështja e mosthemelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kundër raportit të deputetës greke u shprehen edhe disa deputetë të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.
Deputetja e Serbisë, Bilana Pantiq Pila, tha se çështja e themelimit të Asociacionit nuk mund të anashkalohet.
“Ju keni vendosur të shkelni ligjin ndërkombëtar. Nëse lejoni të ashtuquajturën Kosovë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pa themelimin e Asociacionit, atëherë Asociacioni nuk do të themelohet asnjëherë”, tha ajo.
Maja Vukiqeviq, deputete e Malit të Zi, po ashtu u deklarua kundër antarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vukiqeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) proruse në parlamentin malazias.
Krerët e Malit të Zi pa rea lidhur me votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës
Branisllav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina u shpreh kundër anëtarësimit dhe tha “duke vendosur në agjendë pranimin e të ashtuquajturës Kosovës po dëshmojmë kolapsimin e të drejtës ndërkombëtare, në zemër të Evropës”.
Kundër votuan edhe disa nga deputetë nga Franca, Spanja, Hungaria dhe Qipro, kurse abstenuan disa deputetë të Italisë dhe Moldavisë.
Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhej një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka zhvilluar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Gjatë debatit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT), i bëri thirrje Asamblesë për votë pozitive për Kosovën.
“Ne promovojmë tolerancë, dialog… Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave për të gjitha pakicat kombëtare. Pakicat kombëtare kanë përfaqësi në trupa të rëndësishme vendimmarrëse, duke përfshirë, Qeverinë, gjyqësorin dhe institucionet lokale”, tha Kervan.
Arben Gashi, deputet nga subjekti opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkoi nga parlamentarët votë pozitive për Kosovën, “për të qenë në anën e duhur të historisë”.
“Për shumë gjatë, njerëzit tanë kanë vuajtur dhimbjen e padrejtësisë. Por, sot qëndrojmë para jush si të barabartë, të gatshëm për të marrë vendin tonë në komunitetin e shteteve” tha ai.
Kjo çështje tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj.
Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.
Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.