Shqetësim në BE pas qëndrimit të Beogradit, se nuk do të zbatojë pika të Marrëveshjes së Ohrit që u arrit në kuadër të dialogut me Kosovën. Prishtina i kërkon BE-së të “heqë dorë nga politika e zbutjes së Serbisë”.
Letra e autoriteteve serbe drejtuar Bashkimit Evropian, se Serbia nuk do ta njohë de facto Kosovën, ashtu siç i kërkohet, se nuk e respekton integritetin e saj territorial, sikundër nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat përcjellëse të saj ka ngritur shqetësim në BE. Kjo sepse me të bëhet i qartë moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e dakorduar në fillim të këtij viti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Reagimi i BE
Për Bashkimin Evropian, marrëveshja e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, ajo cilësohet ligjërisht e obligueshme. “Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thanë se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe se zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”. Kjo kërkohet nga deklarata e përbashkët nga takimi i fundjavës së shkuar i nivelit të lartë të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, ku u tha se “BE-ja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në deklaratën në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Brnabiq: Pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në OKB
Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, deklaratën e Samitit të BE-së, e cilësoi “një deklaratë politike që nuk është ligjërisht e detyrueshme”. “Marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës. Pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturën tërësi tokësore të Kosovës”, thuhet në një njoftim nga zyra e kryeministres së Serbisë.
Sipas zëdhënësit të BE, Stano, Marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell, më 18 mars 2023”.
Por, sipas kryeministres se Serbisë, Ana Bërnabiq, kjo deklaratë “konsiderohet si ligjërisht joobliguese”, dhe se “nuk e ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare, sipas së drejtës ndërkombëtare”. “Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrim ndërkombëtar, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Bërnabiq.
Reagimi nga Prishtina
Autoritetet e Prishtinës reaguan pas refuzimit të Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që siç thonë “të heq dorë nga politika e zbutjes së Serbisë”. “Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”, shkroi në platformën X, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
“Serbia me këtë letër edhe një herë u tregua destruktive”
Por, si e shohin analistët politik refuzimin e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe këtë zhvillim të ri në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Gazmir Raci, analist politik i tha DW-së se “Serbia me këtë letër edhe një herë u tregua destruktive duke u tërhequr nga ajo që e ka pranuar në procesin e dialogut”, dhe me këtë, ‘ia përplasi në fytyrë’, BE-së gjithë dokumentet dhe angazhimin gati 15-vjeçar në procesin e dialogut.
“Në samitin e fundit u tha që të gjitha obligimet e dala nga dialogu do të jenë pjesë edhe e kapitullit 35 për Serbinë në rrugëtimin e saj për në BE. Ai kapitull që nga fillimi ka qenë kryekëput për obligimet që i ka Serbia në raport me normalizimin e raporteve me Kosovën. Kapitulli 35 tashmë po përditësohet edhe me kërkesën e dalë nga plani Franko-Gjerman për njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia. Edhe deklarata e Kancelarit Gjerman, Presidentit Macron dhe Kryeministres Italiane Meloni, pas takimit të fundit me Kurtin dhe Vuçiqin, ishte që Serbia tashmë de-facto duhet ta njoh ëKosovën”, tha analisti Raci.
Edhe një analist tjetër Blerim Burjani, i tha DW-së se në vazhdimësi BE-ja është përballur me këtë qëndrim rezistues të Serbisë, por, shpresat dhe vullneti i BE-së për normalizim e tejkalon këtë kokëfortësi politike serbe. “Prandaj BE-ja e përsëritë se marrëveshja është obligative për zbatim, pra një obligim i pashmangshëm”.
Sipas analistit Burjani, Serbia në njërën anë shkon në dialog, ndërsa në anën tjetër refuzon zbatimin e marrëveshjes me Kosovën nëse nuk është në interes të saj. Prandaj, BE-ja sipas tij, “duhet të ndryshoj modalitetin e komunikimit me Serbinë, duhet të jetë politikisht me energjike dhe me insistuese”. “Serbia do politika neutrale ndaj zhvillimeve ndërkombëtare dhe do ta mbaj edhe Rusinë afër edhe ndihmat perëndimore apo relacionet me perëndimin. Politika neutrale është doktrinë e Vuçiqit. Mendojë se dialogu është komplikuar dhe trysnia me lehtë bëhet ndaj Kosovës sesa Serbisë. Qëndrimi i fundit i Serbisë paraqet problem të madh për normalizim të marrëdhënieve, prandaj BE-ja duhet mendoj saktë se çfarë do nga Serbia dhe t’ia bëjë më dije se do të ketë masa ekonomike në rast se nuk reflekton”, thotë Burjani.
Më 26 tetor të këtij viti, udhëheqësit e Gjermanisë, Kancelari Scholz, Presidenti i Francës Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, pas takimeve të ndara që zhvilluan në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kosovës i kërkuan themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës. Kjo përfshihet edhe në Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas burimeve diplomatike nga BE-ja, thuhet se Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian, që të ndryshojë kriteret për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit të bëhet pjesë integrale e kapitullit të 35 për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimi Evropian./DW/