Berat Gjimshiti ëndërron që një ditë të luajë me Shqipërinë në një Kampionat Botëror. “Është kulmi me Kombëtaren”, pohon ai në një intervistë për “Sport News” të moderatores Enxhi Biba në “News 24”. Lideri i prapavijës kuqezi, ka treguar ambiciet e tij me fanellën kuqezi, duelet që e presin në rrugëtimin për t’i bërë realitet ato dhe hapat e radhës në karrierën e tij ku tashmë është një nga emrat e afirmuar në Serinë A.
A beson te kualifikimi në Botëror – “E besoj të them të drejtën, po. Është një ëndërr. Që kam qenë besnik, nuk e di a është fjala e duhur, por kombëtarja për mua ka qenë gjithmonë diçka e veçantë, ka qenë gjithmonë diçka e bukur, kem ardhur me dëshirë. Ëndrra vazhdon për ta realizuar, po ta shohim këto dy ndeshje e të shohim për të ardhmen”.
Çfarë personifikon ftesa në Kombëtare – “Fjala e parë që më vjen tani në mend është krenaria. Besoj gjithmonë që të jesh dhe të marrësh ftesën e kombëtares është krenaria se përfaqëson një shtet të madh, si edhe gjuhën që flet në shtëpi dhe ajo të bën të lumtur”.
A është gati Shqipëria – “Besoj që jemi gati, në ndeshjet e fundit besoj që kemi kaluar mirë. Edhe atë që kemi humbur me Poloninë, siç kam thënë edhe më parë, kemi bërë ndeshje të mirë, por na penalizuan gabimet. Prej asaj kohe jemi rritur si ekip, kemi lojtarë me cilësi, të rinj dhe me eksperiencë. Besoj se është miks i mirë dhe besoj që i kemi mundësitë”.
Më e vështirë Hungaria apo Polonia? – “Çdo ndeshje ka vështirësinë e vet. Edhe nëse luan kundër San Marinos është një vështirësi e ndryshme. Besoj se ndeshja e parë është me Hungarinë dhe mendojmë atë, pastaj mendjen te Polonia. Por tani kemi 5 ditë të përgatitim këtë ndeshje dhe ta kalojmë sa më mirë”.
Reja vendosi objektiv 4 pikët – “Është e vështirë të them, unë personalisht si lojtar gjithmonë hyj në fushë për të fituar ndeshjen. Përballë çdo skuadre që luaj, mendoj tre pikët dhe të shohim në fund çfarë do të marrim:.
Ndalimi i Levandovskit – “E pamundur nuk është asgjë në jetë, por nuk është vetëm Gjimshiti që duhet të ndalë Levandovskin, është i gjithë ekipi që duhet të ndalë Poloninë. Ka shumë lojtarë të mirë, një që admiroj është Zielinski që e pëlqej shumë dhe që nuk ishte në ndeshjen e parë e kthehet, Duhet ta kemi kujdes”.
Humbja në ndeshjen e parë ndaj Polonisë – “Besoj që plani edhe në ndeshjen e parë nuk ishte i keq, e filluam shumë mirë. Kemi bërë dy gabime, goditje standarde që pësuam gol. Kur je 2-0 është e vështirë të luash me një ekip si Polonia e ta kthesh rezultatin. E rëndësishme do të jetë përqendrimi sidomos në goditjet standarde që të mos pësojmë gol”.
Më i vështirë Ronaldo, Lukaku, Levandovski, Kejn… – “Është e vështirë të thuash një. Çdo lojtar i përmendur, ka edhe shumë të tjerë, janë në nivelet më të larta. Çdo lojtar ka cilësinë e vet, të gjithë janë shumë të fortë me nivele të larta, por çdo lojtar ka atë cilësinë e vet që e nxjerr para të tjerëve “normalë”. Nuk e zgjedh dot”.
Pritshmëria e lartë nga mbrojtja – “Presim shumë nga gjithë ekipi, jo vetëm nga mbrojtja se luhet me 11 lojtarë, janë gabime individuale si quhen në futboll që penalizojnë në ndeshje të rëndësishme. Nuk besoj është vetëm mbrojtja apo sulmi, gjithë ekipi duhet të japë maksimumin, të gjithë të sulmojmë e mbrojmë bashkë”.
Alternativat e shumta në prapavijë – ‘Sigurisht që presioni është një gjë e mirë në futboll dhe konkurrenca është e mirë se të jep mundësinë të japësh maksimumin gjithmonë që të jesh vendimtar në lojë dhe cilësinë ia kalon lojtarëve të tjerë. Është gjë e bukur. Nuk e di a quhet luks, por është e vështirë për trajnerin që të zgjedhë se kush të luajë”.
Mendimi për Rejan – “Unë nuk e di a e dinë shumë njerëz, por e kam pasur trajner kur shkova te Atalanta në fillim. Ai është me shumë eksperiencë e sukses në karrierë, është trajner që në radhë të parë është njeri i mirë që di të përfaqësojë ekipin, ta organizojë, të bëjë ekip që njëri-tjetri të shkojë mirë. Pastaj taktika është gjë tjetër, por besoj se me të po bëjmë shumë mirë”.
Afrimi i të rinjve në Kombëtare – “Në Kombëtare duhet të marrësh atë që ke dhe të përdorësh atë që ke. Për moshën, ka të rinj që kanë 10 vite para në kombëtare, duhet të rrisim me sa më shumë sukses edhe kombëtaren. Kur isha më i ri ishin ëndrrat që të rrisim kombëtaren e ta bëjmë më të famshme. Jam pak i vjetër tani, 28, por jam ende i ri”./sn/spektri