Veç një kryetar i ri i zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe, pritet që sot ta marrë edhe zyrtarisht detyrën.
KFOR-i ka thënë se do ta monitorojë situatën dhe do ta mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm.
“Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës dhe situatës në përgjithësi sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për rtv 21.
Sipas KFOR-it komandanti mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e EULEX-it, UNMIK-ut, OSBE-së, institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë së Kosovës.
Misioni i udhëhequr nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigjen e KFOR-it.
Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.
Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.
Dje, shtetet e Quint’it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
Megjithatë, këto shtete thonë se si pasojë e bojkotit nga komuniteti serb, rezultatet e tyre nuk janë zgjidhje afatgjata politike për këto komuna.
“Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër palë zgjedhje për kryetar komune dhe dy palë zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët.