Më 16 qershor mbahet seanca e dytë e Kuvendit Komunal të Bujanocit

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka caktuar mbajtjen e seancës së dytë të Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet më 16 qershor 2026 (e martë), me fillim në ora 10:00, në sallën e Kuvendit Komunal.

Sipas materialit të publikuar nga Kuvendi Komunal, para këshilltarëve do të gjenden gjithsej 21 pika të rendit të ditës, të cilat përfshijnë çështje financiare, raporte vjetore të institucioneve komunale, ndryshime në vendime ekzistuese, si dhe emërime dhe shkarkime në institucione publike dhe organe të ndryshme komunale.

Një nga pikat më të rëndësishme të seancës është shqyrtimi dhe miratimi i llogarisë përfundimtare të buxhetit të Komunës së Bujanocit për vitin 2025. Gjithashtu, do të shqyrtohen raportet vjetore të punës dhe raportet financiare të Entit Farmaceutik të Bujanocit, Administratës Komunale, Këshillit Komunal dhe Shtabit për Situata Emergjente për vitin e kaluar.

Në rend dite janë përfshirë edhe propozimet që lidhen me realizimin e projektit të partneritetit publiko-privat për modernizimin, racionalizimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të ndriçimit publik në territorin e Komunës së Bujanocit, një projekt që pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në infrastrukturën komunale dhe kursimin e energjisë.

Këshilltarët do të shqyrtojnë gjithashtu ndryshimet dhe plotësimet e vendimit për stacionet e taksive, rregullimin komunal, si dhe ndryshimet në sistematizimin e vendeve të punës në Bibliotekën “14 Nëntori”.

Pjesë e rëndësishme e seancës do të jenë edhe emërimet dhe shkarkimet në disa institucione publike. Në rend dite janë përfshirë propozimet për shkarkimin dhe emërimin e ushtruesve të detyrës së drejtorëve të Institucionit Publik për Arsim dhe Kulturë “Vuk Karaxhiq” dhe Bibliotekës “14 Nëntori”, si dhe ndryshimet në përbërjen e këshillave shkollorë të disa institucioneve arsimore në komunë.

Ndër pikat e fundit të rendit të ditës është edhe kërkesa për dhënien e pëlqimit për regjistrimin e fëmijëve në Institucionin Parashkollor “Gëzimi Ynë”, si dhe pika “Të ndryshme”.

Sipas njoftimit zyrtar, rendi përfundimtar i ditës mund të plotësohet dhe përcaktohet gjatë vetë seancës./Spektri