Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i ka reaguar tenistit serb, Novak Djokovic i cili tha se do të donte të kthehej në Kosovës për t’i pagëzuar fëmijët e tij.
Tenisti serb, Novak Djokovic thotë se dëshiron t’i pagëzojë fëmijët e tij në Kosovë, duke e konsideruar se kjo tokë është në zemër të çdo serbi, pasi sipas tij, ajo e përfaqëson qendrën e kulturës, identitetit, traditës dhe të fesë së serbëve.
Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, Djokovic ka thënë se është i vetëdijshëm që do të ishte e vështirë ta realizonte dëshirën e tij pasi, gjithnjë sipas tij, në Kosovë ka ende tension, ndonëse më jo konflikt të armatosur, përcjell “Gazeta Express”.
“Dua të kthehem në Kosovë me gruan time për t’i pagëzuar fëmijët e mi, Stefan, tetë vjeç, dhe Tara, pesë vjeçe. E di se kjo është një çështje delikate pasi konflikti është ende prezent atje, ndonëse jo më i armatosur, por ka ende tension. Nuk dua të përzihem në politikë, por për çdo serb, Kosova është në zemër, është një qendër e kulturës sonë, të identitetit, të traditës dhe të besimit tonë”, deklaroi tenisti serb.
Ndërkohë, ka reaguar edhe Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, duke thënë shkurtimisht se pa vaksinë nuk ka hyrje në Kosovë.
“No-Vax No entry”, shkroi ai në Twitter, duke e vendosur edhe flamurin e Kosovës./Express