Çka po paralajmëron Vuçiq, Më 8 tetor njoftoj vendime të rëndësishme





Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, iu përgjigj kritikave për marrëveshjen e fundit me Rusinë të nënshkruar në selinë e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se vendi i tij po sulmohet brutalisht vetëm për një dokument burokratik, të cilin e vlerësoi pa asnjë peshë të rëndësishme.

Vuçiq akuzoi mediat se abuzojnë qëllimisht me informacionet për të bërë propagandë kundër Serbisë.

Reagimi i tij vjen pasi socialdemokratët në Parlamentin Evropian kërkuan ndërprerjen e procesit të pranimit të Serbisë në BE, dhe pasi zëdhënësi i unionit Peter Stano, lëshoi një sërë kritikash për ujdinë mes Beogradit dhe Moskës për konsultime të shpeshta dhe bashkëpunim në politikën e jashtme.

Presidenti serb nënvizoi se e di shumë mirë nga i vjen presioni për të marrë vendime të vështira, por nuk pranoi të japë shumë detaje, siç tha ai për të mos dëmtuar vendin.

“Unë nuk po luftoj për Putinin apo Bidenin. Jo për askënd. Unë po luftoj për të gjithë qytetarët e Serbisë, për këtë vend. Nuk më interesojnë liderët e huaj, apo gjithçka që ata kanë për t’i thënë Serbisë. Por po shikoj që në këto momente të vështira, Serbia të mos jetë nën sulmin e tyre”, tha presidenti.

Vuçiq përsëriti se Serbia nuk do të njohë vendimin e Rusisë për të aneksuar katër rajonet e Ukrainës, ku u mbajtën referendumet, duke pranuar se kjo do t’i hiqte të drejtën atij për të mohuar pavarësinë e Kosovës.

Presidenti paralajmëroi se do të mbajë një fjalim drejtuar kombit më 8 tetor, në të cilin do të flasë për lëvizjet, vendimet dhe çfarë politikash do të ndjekë ai në periudhën e ardhshme, shkruan a2cnn.

Gjithashtu përmendi angazhimet që do të ketë gjatë ditëve në vijim me takime të rëndësishme në Bullgari, Hungari dhe Çeki. Ndër të tjera, Vuçiq paralajmëroi një vendim kundër Kosovës, por më parë tha se do të shohë se çdo të ndodhë me aplikimin e tyre për anëtarësim në Këshillin e Evropës.