Një qytetar i nacionalitetit serb, ka raportuar në Policinë e Kosovës se vetura e tij i është djegur, në veri të Kosovës.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.Hoti ka thënë se vetura e djegur është me targa të Serbisë.
“Vetura është djegur në veri, me targa të Serbisë. Ankuesi është serb, qytetarë i rëndomtë” – ka thënë zëvendësdrejtori për KALLXO.com.
Hoti tutje tha se ngjarja ka ndodhur në mes orës 02:00 dhe 05:00 të mëngjesit.Djegia e veturave të ndryshme ka qenë e shpeshtë ditëve të fundit në veri të vendit, mirëpo shumica nga to kanë qenë vetura që targat ilegale i kanë konvertuar në ato legale, RKS.Për këto djegie para mediave ishin deklaruar Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.Çështja e targave është duke u diskutuar tash e disa muaj, që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës që të gjitha veturat me targa ilegale që lëvizin në Kosovë të regjistrohen në ato legale, RKS.
Nga ana e këtyre të fundit është marr një vendim me disa faza që është paraparë që të zbatohen në Kosovë.
Ky plan me faza ka nisur nga 1 nëntori. Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh për ata shoferë, dhe e treta targat provuese.Faza e dytë ishte paraparë që të fillonte më 21 nëntor, por që më pas ishte shtyrë për një ditë.Një komunikatë e Policisë së Kosovës kishte bërë të ditur që fillimi i shqiptimit të gjobave do të fillonte më 22 nëntor 2022, nga ora 08:00 e mëngjesit.
Mirëpo ende pa u bërë i 22-ti, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti vendosi që kjo fazë të shtyhet edhe për 48 orë.
Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.
Vendimi për targa ka bërë që të ketë tensione të ngritura në veri të vendit, duke bërë që edhe serbët të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës, nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.Kurti dhe Vuçiq u takuan dje gjatë ditës në Bruksel, por që nuk pati ndonjë marrëveshje gjatë takimit të tyre trepalësh.