Shumë diplomatë të huaj kanë reaguar lidhur me kampanjën denigruese që po bëhet në rrjetet sociale ndaj qytetarëve të komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës.
45 policë të komunitetit serb kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Këta zyrtarë të rinj policorë u ishin nënshtruar procedurave të konkursit e Akademisë Policore për të marrë këto pozita, të cilat do t’i ushtrojnë tash e tutje.
E kjo ngjarje nuk është përcjellur aspak mirë nga Serbia, të cilët me anë të rrjeteve sociale nisën linçimet në formë kërcënuese ndaj këtyre zyrtarëve policorë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, reagoi duke thënë se se janë të papranueshme kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Këto ngjarje i dënoi edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde i cili tha se kjo fushatë frikësimi është shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë.
“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet e pakicës boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar Rohde.
Reagoi edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Ai tha se është e rëndësishme që Policia e Kosovës të reflektojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t’u shërbejë të gjitha komuniteteve.
“I ndaj plotësisht këto shqetësime. Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të reflektojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t’u shërbejë të gjitha komuniteteve. Frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan të kontribuojnë për shtetin e tyre, janë të papranueshme”, ka shkruar ai.
Gjuha linçuese u dënua edhe nga liderët shtetërorë të vendit, me kryeministrin Kurti i cili i quajti ato të papranueshme.
“I përgëzoj për kurajon për të qenë pjesë e Policisë, dhe vullnetit të tyre për ti shërbyer vendit dhe sigurisë në vend, sidomos 46 policët e rinj nga komunitetë serb. Fushatat kanale e platformat sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne, edhe pse jam i bindur se janë krejtësisht të shpërfillura nga vetë ata. Ata sot janë pjesëtarë të policisë së Kosovës sepse janë profesionist të guximshëm dhe janë qytetarë të cilët e kanë dashurinë për vendin dhe e shprehin këtë duke i kontribuar atij”, ka thënë kreministri Kurti në konferëncën për media.
Ai ka thënë se ndërkombëtarët duhet të dënojnë çfarëdo fushate linçimi nga ana e Serbisë ndaj tyre.
“Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate linçimi e kërcënimi ndaj policëve të komuniteti jo-shumicë, duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit ndaj integrimit të serbëve. Ata që integrohen jetojnë më mirë, ky është fakt. Ata që nuk integrohen, fatkeqësisht mbesin peng të politikave të Beogradit. Kjo po dëshmohet në vazhdimësi”, ka thënë tutje Kurti.
Për këtë reagoi edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila dënoi kërcënimet ndaj zyrtarëve policor duke thënë se kjo fushatë duhet të ndalet menjëherë.
Osmani u ka dhënë mbështetje policëve të rinj të cilët janë nën kërcënim pas marrjes së pozitës në veri të vendit.
“I dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”, shkroi ajo.
Kujtojmë se përfaqësuesit e Listës Serbe, më 5 nëntor, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kishin vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës./Sinjali