Qeveria e Republikës së Serbisë ka miratuar vendimin që dita e dytë e Fitër Bajramit, e hëna më 31 mars 2025, të jetë ditë pushimi për besimtarët myslimanë në territorin e Republikës së Serbisë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 17 mars, me propozim të Myftinisë së Bashkësisë Islame në Serbi, dhe ka për qëllim të mundësojë ushtrimin e lirë të së drejtës fetare gjatë një prej festave më të rëndësishme për myslimanët.
Ministri në Qeverinë e Serbisë, Husein Memiç, njoftoi përmes rrjeteve sociale se ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt respektimit të të drejtave fetare dhe kulturore të komunitetit mysliman.“Respektimi i festave fetare kontribuon në integrimin më të mirë dhe në vlerësimin e diversitetit kulturor në shoqërinë tonë. Ky vendim konfirmon përkushtimin e shtetit ndaj barazisë dhe kujdesit për të gjithë qytetarët”, theksoi ministri Memiç.
Ndërkohë, edhe ministri tjetër në Qeverinë e Serbisë, Usame Zukorliq, ka bërë thirrje që punonjësit myslimanë të kontaktojnë kabinetin e tij në rast se ndonjë institucion shtetëror apo kompani private nuk u mundëson ditën e lirë për shkak të diskriminimit fetar.“Nëse ndonjë drejtor i institucioneve shtetërore apo private nuk respekton këtë vendim dhe, për arsye diskriminuese, nuk u jep të drejtën e pushimit besimtarëve myslimanë, lutem që ankesat të më dërgohen në adresën: kabinet@pomirenje.gov.rs”, bëri të ditur Zukorliq.
Ky vendim konsiderohet si një hap pozitiv drejt respektimit të të drejtave të pakicave fetare në Serbi dhe pritet të kontribuojë në klimën e mirëkuptimit dhe tolerancës ndërfetare në vend./Spektri