“Është njohje, në bazë të kartës së OKB-së” – Haradinaj zbulon detaje tjera të draftit të marrëveshjes





Ramush Haradinaj është i vetmi nga liderët e opozitës që i shkroi kryeministri Albin Kurti në takim për të diskutuar rreth marrëveshjes me Serbinë. Ai ka zbuluar disa detaje se çka përmban propozimi franko-gjerman, për dallim nga zyrtarë të qeverisë që ende janë më të heshtur rreth kësaj çështjeje. Drafti është i ndarë në disa kapituj që sipas Haradinajt janë marrë prej kartës së OKB-së, por se njohja ekziston brenda saj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar të marten se propozimi franko-gjerman, që përflitet si kornizë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është praktikisht njohje e Kosovës.

Haradinaj ka dhënë disa detaje nga takimi që pati javën e kaluar me kryeministrin Albin Kurti, ku tha se u diskutua pikërisht se çfarë përmban ai draft. Thotë se e ka lexuar fjalë për fjalë planin për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Së fundmi e kam dëgju prej kryeministrit Kurti, e kem lexu aty. E kemi kthy, me Ardianin kemi qenë bashkë, dytë e kemi lexu. Nja 1 or jemi marrë me to. E kam lexuar rresht për rresht. Sdi që kemi mujt me lon kësaj here, nuk është bashkë me lon. Shumë vështirë ka me qenë me lon kësaj here.Besoj që ka fokusim të madh që këtë vit të kryhet kjo cështje”, tha ai.

Sipas Haradinajt drafti është i ndarë në disa kapituj që janë marrë prej kartës së OKB-së, derisa thotë se këta kapituj i rregullojnë marrëdhëniet mes shteteve.
“Si ka ardh deri te dokumenti, nuk shkruhet një dokument në të terun, por dëgjohen palët, diskutohet, ka plotë diskutime. Pra në një pjesë të këtyre diskutimeve kam marrë pjesë, kam qenë në tavolina ku është diskutu për shumëçka. Ajo çka është një ndryshim është emri i marrëveshjes, tash munet me pas emrin marrëveshje bazike”.
“Ndërsa kapitujt e saj janë marrë prej kartës së OKB-së, që i rregullojnë marrëdhëniet e shteteve, pra nuk ka dallim mes shteteve të tjera të pavarura dhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Pra është njohja de fakto dhe de juro në pikën e parë dhe të dytë të marrëveshjes”, tha Haradinaj në T7.
Madje ai tha se beson që marrëveshja mund të kryhet këtë vit, pasi sipas tij ka fokusim të madh të ndërkombëtarëve që të kryhet brenda këtij viti.
“Sipas planit franko-gjerman, Kosova e Serbia dy shtete që s’bëjnë dashni shumë”

Sipas tij, ky plan i marrëveshjes do të jetë i vështirë për t’i ikur, shkruan Insajderi.

Haradinaj tha se plani franko-gjerman përfshin edhe faktorin amerikan dhe fuqi të tjera perëndimore.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia trajtohen si shtete në këtë marrëveshje, që sipas tij, nuk duan të shprehin shumë dashuri të ndërsjellë.
“Kosova në njëfarë mënyre e ka njohjen në këtë marrëveshje. Kudo që do të ballafaqoheni me këtë, do ta shihni, është njohje, në bazë të kartës së OKB-së. Të dyja janë shtete, por nuk duan të bëjnë dashni shumë. Në fakt duan, përmes Procesit të Belinit”, ka thënë Haradinaj në Pressing të T7.

Haradinaj ka thënë se me këtë marrëveshje SHBA ia heq Kosovës varshmërinë nga Serbia në aspekt shumëdimensional.
“Amerikanët në njëfarë mënyrë do ta heqin Kosovën nga varshmëria ndaj Serbisë në cilindo aspekt të ekzistencës. Serbia ndoshta nuk do t’i hiqet varshmëria ndaj Kosovës, do të thotë a na njihni për të hyrë në BE”, ka deklaruar ai.

Tash kur kanë kaluar më shumë se një muaj prej kur në opinion doli informacioni se ekziston një projekt i përpiluar nga Franca e Gjermania, në Kosovë janë dy versione që kanë qarkulluar deri tash rreth kësaj çështjeje, shkruan Gazeta Insajderi.

E para që në këtë propozim nuk parashihet njohja e Kosovës nga Serbia, por vetëm njohja nga pesë vendet anëtare dhe lejimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Derisa sipas versionit të dytë, në thelb të marrëveshjes është njohja e Kosovës shtet nga Serbia, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Njohje apo anëtarësim në NATO – Çka dihet deri tash për propozimin franko-gjerman?
Kurti për marrëveshje: Nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare

Kryeministri Albin Kurti me 10 tetor deklaroi se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.
“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare, që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”, tha Kurti.
Ai tha se për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t`i zbulojë në opinion idetë, shkruan Insajderi.

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen tha se asnjëherë nuk e ka mohuar ekzistencën e planit franko-gjerman për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Në fakt asnjëherë nuk e kam mohuar, ky është një konstatim i gabuar. Në çdo deklaratë kam thënë se ekziston një deklaratë franko-gjermane. Do të ketë takime në mënyrë që detajet e kësaj iniciative që kanë për qëllim paqen dhe stabilitetin në rajon të shpjegohen më në detaje”, tha Osmani.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nga ana tjetër tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që vendi i tij, të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se Serbia nuk do të “poshtërohet më tej dhe nuk do të detyrohet ta njohë zyrtarisht Kosovën”, por, duke mos reaguar, do të jepte sinjal të heshtur se pajtohet.