Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), dyshohet për evazion fiskal për të hyrat nga aktivitetet komerciale, me rastin e shitjeve të biletave për vite me radhë, shkruan Insporti.
Para fillimit të pandemisë së Covid 19, ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në futboll sjellin mijëra tifozë në stadium, të cilët blinin biletat me çmime relativisht të larta, e jo të rralla ishin rastet kur këto bileta përfundonin në tregun e zi, për t’u rishitur edhe njëherë me çmime shumë më të larta.
Në tetor të vitit 2019, Prokuroria Speciale e Shtetit kishte nisur hetimet për verifikimin e dyshimeve të ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga Kombëtarja e Kosovës, ku për çdo ndeshje kishte ankesa për parregullsi.
Për zgjidhjen e këtij problemi, Federata e Futbollit të Kosovës, hapi një sistem online për blerjen e biletave, e pastaj autorizoi kompaninë Tiks.app, por as kjo formë nuk rezultoi e suksesshme.
Megjithatë, tregu i zi i biletave të ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës dhe informaliteti nga personat fizik, nuk po del të jetë e vetmja formë me të cilën është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës.
Insporti ka zbuluar një komunikim mes Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ku kjo e fundit konfirmon se Federata e Futbollit të Kosovës duhet të paguajë TVSH (Tatim mbi Vlerën e Shtuar), për aktivitete ekonomike siç është shitja e biletave.
FFK, është organizatë joqeveritare, ndaj nuk konsiderohet person i tatueshëm për qëllimet e TVSH-ës, për pagesat që mund t’i pranojë nga anëtarësia apo donacione të ndryshme, por në rastin e aktivitetit komercial siç është rasti i shitjes së biletave, duhet të jetë pajisur me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF), dhe në secilën biletë të paguhet TVSH në vlerë prej 18%.
Federata e Futbollit të Kosovës, dyshohet se ka bërë shmangie të tatimit për vite me radhë, duke shitur bileta për ndeshjet e Kombëtare, por edhe të ndeshjeve tjera në nivel të klubeve, duke mos paguar TVSH-në, me dëmin ekonomik që besohet të jetë jashtëzakonisht i lartë.
Që nga pranimi në FIFA dhe UEFA, Federata e Futbollit të Kosovës ka organizuar shumë ndeshje të Kombëtares së Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ku numri i biletave të shitura është mbi 200 mijë sosh, me çmimet zyrtare të cilat kanë variuar nga 5 euro deri në 80 euro.
Në përllogaritje, ku një biletë e shitur nga Federata e Futbollit të Kosovës gjatë viteve 2014 – 2019 merret se ka pasur çmimin mestar prej 15 euro, rezulton që FFK i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës mbi 500 mijë euro.
Në komunikimin direkt mes ATK-së dhe FFK-së, të datës 24/09/2018, Administrata Tatimore e Kosovës, udhëzon Federatën e Futbollit të Kosovës që të pajiset me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF), ku decidivisht thuhet se shitja e biletave e cila bëhet nga FFK, apo nga ndonjë kompani e kontraktuar, duhet të jetë me TVSH, si dhe furnizimi i tillë për konsumatorin final duhet të përcillet me kupon fiskal.Insporti ka tentuar të kontaktojë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Administratën Publike të Kosovës, për të marrë përgjigje në pyetjet nëse Federata e Futbollit të Kosovës është pajisur me (PEF), dhe nëse është nisur një hetim mbi këtë çështje nga ana e ATK-së, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Shitja e të drejtave TV të Përfaqësueses, të Superligës, të reklamave e shumë të hyrave të tjera të cilat janë bërë në kundërshtim me letrën nga ATK e cila ka udhëzuar FFK nga 2018 të lajmërohet ne TVSH.Më poshtë keni vendimin final të ATK-së në lidhje me evazionin fiskal nga ana e FFK-së.
Financat e Federatës së Futbollit të Kosovës:
Federata e Futbollit e Kosovës vitet e fundit ka pasur buxhetin më të madh në historinë e saj, kurse UEFA dhe FIFA vazhdojnë të jenë dy kontribuuesit më të mëdhenj në buxheti ne futbollit të Kosovës.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në një intervistë të dhënë më 24 maj të vitit 2019 në emisionin “Click” në RTV 21 pranoi se FFK ka buxhet rreth 11 milion Euro, nga të cilat mbi 2 milionë Euro shkojnë në paga.
I pyetur se “kush paguhet 2 milionë Euro në vit nga futbolli i Kosovës”, Ademi pohoi se “në vitet e para të anëtarësimit kemi pasur buxhet më të madh sepse kemi pasur më shumë projekte, p.sh 3 milionë janë të dedikuara për kampin nacional, sepse buxheti caktohet për projekte të veçanta, jo si një tërësi”.
Ademi sqaroi se mbi 1,5 milionë Euro janë të dedikuara për ekipet kombëtare nga UEFA dhe 500 mijë Euro nga Qeveria dhe këto para janë të dedikuara për lojtarët.“Pagat e stafit në FFK janë nga 400-500 deri në 1200 Euro, kurse në vijën e shpenzimeve të pagave, në këta 2 milionë Euro përfshihen edhe pagat e përzgjedhësve, mëditjet e gjyqtarëve he delegacioneve dhe shpenzime të kësaj natyre” shtoi Ademi transmeton Insporti.
Selektori i ekipit kombëtar A Bernard Challandes është i vetmi punëtor në FFK që ka pagë vjetore gjashtë shifrore, kurse shpenzimet e kombëtares A, përfshi pagat, udhëtimet dhe akomodimet kalojnë shifrën prej një milion eurove bën të ditur Insporti, duke iu referuar të dhënave të siguruara nga FFK-ja.