Shqipëria U21 realizoi një përmbysje emocionuese përballë bashkëmoshatarëve nga Rumania, duke fituar 3-2. Ky ishte suksesi i dytë në po kaq ndeshje për kuqezinjtë e Alban Bushit në Grupin E të eliminatoreve të Euro 2025.
Pjesa e parë ishte e dyluftuar, por rastet munguan. Ndërkohë që fraksioni i dytë i takimit ishte i drithërues! Constantin Grameni dhe Andrei Borza kaluan rumunët në avantazh të dyfishtë.
Por, kuqezinjtë vendosën zemrën në fushë, nuk u dorëzuan dhe prodhuan 3 gola shumë të bukur. Me Cristian Shpendin, kapitenin Medon Berisha (eurogol) dhe Adrion Pajazitin që dhuruan emocione të paharrueshme në “Elbasan Arena”. Duke kompletuar një shtator fantastik kuqezi.
SHQIPËRI-RUMANI 3-2 (Cristian Shpendi 63′, Medon Berisha 71′, Adrion Pajaziti 88′ / Constantin Grameni 47′, Andrei Borza 58′)