Flet Besnik Bislimi: Një veturë e policisë na doli përpara në rrugë, s’na la të hymë në Beograd





Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ishte nisur për në Beograd për të marrë pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, i është dashur të kthehet prapa në gjysmë të rrugës, pasi autoritetet serbe nuk garantuan për sigurinë e tij.

Bislimi ka thënë se vizita i ishte aprovuar; megjithatë, derisa po afrohej bashkë me delegacionin e tij në Beograd, një veturë e policisë nuk i la të kalonte, me pretekstin se për “arsye të sigurisë s’mund të bëhet”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Ne kemi bërë kërkesën për vizitë para një jave. Vizita është aprovuar. Kemi kaluar kufirin. Jemi afruar deri te Beogradi. Tek aty na ka dalë një veturë tjetër e policisë që na ka ndalë e ka thënë se për arsye të sigurisë s’mund të bëhet. Po del se është krejt manipulim… Doli një veturë shtesë, ka dalë konvoji dhe ka kërkuar të kthehemi se gjoja ka probleme për siguri. Ka thënë se po kërcënohet siguria”, ka thënë Bislimi nëpërmjet telefonit për KOHËN.

Lajmin për kthimin prapa të Bislimit në Kosovë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net vetë organizatori i kësaj konference, Dushan Janjiç.
“Po është e vërtetë, zoti Bislimi është rrugës duke u kthyer për në Kosovë”, tha ai për Reporteri.net.

Janjiç, i cili s’gjente kohë të shpjegonte më shumë për shkak se konferenca e forumit për marrëdhënie etnike po fillonte tha se brenda gjysmë ore do të tregojë më shumë për arsyet e kthimit të mbrapsht të zv/kryeministrit Bislimi.
Ai konfirmoi për Reporteri.net se Bislimi u kthye mbrapsht për “shkaqe sigurie”.
SHIH VIDEON