Një gazetar disident iranian, që u zhduk në Turqi në muajin maj, tani është i arrestuar nga Garda e fuqishme Revolucionare Islamike e Iranit, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë (REL) burime që kanë njohuri për këtë çështje.
Mohammad Bagher Moradi ishte dëbuar nga Irani në nëntorin e vitit të kaluar, pasi ishte arrestuar “jashtëligjshëm” në Turqi për pesë muaj, tha për REL-in, Salih Efe, avokat turk që përfaqëson familjen e gazetarit.
Familja e Moradit tha se ai ishte larguar nga shtëpia e tij në kryeqytetin turk, Ankara, më 30 maj për të blerë bukë dhe nuk ishte kthyer më. Një ditë më vonë, vetura e tij u gjet e braktisur afër shtëpisë së tij, raportuan mediat turke.
Mediat turke raportuan se familja e Moradit, që kishin shkuar për vizitë nga Teherani, raportuan zhdukjen e djalit të tyre dhe i thanë zyrës së prokurorit lokal se dyshonin se ai ishte rrëmbyer. Pavarësisht se u krye një hetim, Moradi nuk u gjet.
Në qershor, mediat turke cituan babanë e gazetarit, Mohsen Moradi, të ketë thënë se djali i tij ishte “rrëmbyer” nga “inteligjenca iraniane”.
Pas disa muajsh heshtjeje, Moradi më 4 nëntor realizojë një bisedë të shkurtër telefonike me familje e tij dhe i informoi se ai ishte në Iran, në paraburgim nga “trupat e inteligjencës”, thanë për REL-in burimet që kanë njohuri për këtë rast. Moradi i tha familjes së tij se ai ishte dërguar në Iran disa ditë para se t’i telefononte ata, thanë burimet, duke shtuar se gazetari që nga ajo kohë ka realizuar edhe dy telefonata me familjen e tij.
Burimet thanë se Moradi po mbahet nga dega e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike, që qëndron pas arrestimeve të disa gazetarëve, aktivistëve, ambientalistëve dhe qytetarë me shtetësi të dyfishtë në vitet e fundit.
Javën e kaluar, babai i Moradit u mor në pyetje nga Garda Revolucionare lidhur me aktivitetet e djalit të tij në Turqi, thanë burimet. Burimet shtuan se Garda i tha atij që ta këshillojë të birin që të bëjë një pranim të fajësisë, që do të transmetohej në televizion.
Irani detyron të burgosurit politikë që të pranojnë krimet dhe shpesh rrëfimet e tyre diktohen nga hetuesit. Shumë ish të burgosur kanë treguar se janë detyruar që të bëjë deklarime të tilla.
“Dëbimi sekret”
Moradi, 34 vjeç, u largua për në Turqi më 2014 pasi u dënua me pesë vjet burgim në Iran nën akuza për konspiracion kundër shtetit.
Efe, avokati turk që përfaqëson familjen e Moradit, tha për REL-in se gazetari opozitar kishte fituar azil në Turqi. Ai tha se dëbimi sekret i Moradit për në Iran ishte shkelje flagrante e ligjit të Turqisë dhe ligjit ndërkombëtar, përfshirë edhe Konventën për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.
Efe tha se Moradi i ka thënë familjes së tij se është rrëmbyer nga zyrtarët e inteligjencës së Turqisë dhe është mbajtur në një lokacion të panjohur deri në momentin kur është dëbuar nga shteti. Avokati tha se Moradi është marrë në pyetje dhe është torturuar gjatë mbajtjes në Turqi.
“Ky mund të jetë dëbimi i katërt apo i pestë joligjor dhe sekret i një të strehuari politik iranian nga Turqia për në Iran”, tha Efe. “Mendoj se Turqia nuk mund të konsiderohet një shtet i sigurt për refugjatët iranianë”.
Turqia, që gjendet në kufirin perëndimor të Iranit, është një prej destiancioneve kryesore për disidentët iranianë dhe aktivistët që largohen nga shteti. Por, po ashtu është shndërruar në vendin kryesor ku disidentët po ndiqen nga inteligjenca iraniane, apo ata që punojnë për agjencitë e sigurisë së Teheranit. Kjo ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e shtetasve iranianë. Fati i Moradit ka të ngjarë që të rrisë këto shqetësime.
Aktivisti iranian, me bazë në Londër, Peyman Aref, ish-refugjat në Turqi, i tha REL-it se Moradi kishte thënë një vit para se të rrëmbehej se ndihej i kërcënuar nga agjentët e inteligjencës së Turqisë.
“Vitin e kaluar ai foli në Clubhouse dhe zbuloi se një person… që punon për inteligjencën turke po tenton që të rekrutojë iranianë”, tha Aref, duke iu referuar një audio-aplikacioni që është shndërruar në një platformë të madhe në mediat sociale për dialog midis iranianëve. “Ai përfundoi deklaratën e tij duke thënë se tash e tutje inteligjenca turke do të jetë drejtpërdrejtë përgjegjëse për çfarëdo që do të më ndodh”.
Advertisement
Më 2017, Aref u dëbua nga Turqia për në Liban, pasi ishte arrestuar nga forcat e sigurisë së Turqisë, tha avokati i tij për Radion Farda të REL-it.
Aref pretendoi se u dëbua nga Turqia pasi refuzoi që të bashkëpunonte me inteligjencën turke.
Irani dihet se ka vrarë apo rrëmbyer disa figura opozitare në mërgim në vitet e fundit, përfshirë gazetarin Ruhollah Zam.
Zam, udhëheqës i kanalit të njohur opozitar në Telegram, Amad news, u ekzekutua në Iran më 2020 pasi u gjet fajtor për akuzën e “korrupsionit në Tokë”, një akuzë që përfshin raste të spiunazhit apo përpjekjeve për të rrëzuar Qeverinë e Iranit.
Zam kishte jetuar dhe punuar në Francë përpara se të arrestohej më 2019, nën rrethana ende të pasqaruara. Sipas raportimeve të mediave, disidenti dyshohet se ishte mashtruar nga agjentët iranianë që të shkonte në Irakun fqinj.
Habib Chaab, themelues dhe ish-lider i grupit separatist, Lëvizja Arabe për Çlirimin e Ahvazit (ASMLA), u zhduk gjatë një udhëtimi në Stamboll më 2020.
Një muaj më vonë, Chaab u shfaq në një video të publikuar në televizionin shtetëror iranian, duke marrë përgjegjësinë për kryerjen e një sulmi dhe për bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës të Arabisë Saudite. Chaab, që kishte jetuar për 14 vjet në Suedi, më vonë doli para gjyqit./REL