Goditje tjetër ndaj Nagelsmann: “Edhe një bukëpjekës mund ta drejtojë Bayern, por ai nuk arrin dot”





Manfred Bender i ka bërë një goditje të fortë Julian Nagelsmann. Ish-lojtari i Bayernit është vetëm i fundit që i është bashkuar valës së kritikuave ndaj trajnerit gjerman. 35-vjeçari është në sezonin e tij të dytë në Mynih, por nuk po ecën aq mirë sa pritej. Rezultatet e dobëta në Bundesligë kanë filluar të shqetësojnë tifozët dhe kritikat nuk kanë vonuar. Bavarezët, të cilët mburren me 10 tituj radhazi në kampionat, nuk janë mësuar të vuajnë në shtëpi, por diçka ka ndryshuar këtë vit.

Këtë sezon, pavarësisht se dy fitoreve në Champions kundër Interit dhe Barcelonës, ata po vuajnë në kampionat. E Nagelsmann ka përfunduar në bankën e të akuzuarve. Tre barazime (kundër Mönchengladbach, Union Berlin dhe Stuttgart) dhe një humbje (kundër Augsburg) në ndeshjet e fundit. Bayern nuk fiton dhe rezultatet negative nuk pëlqehen. Klubi, siç u përmend disa herë nga Oliver Khan, mbështet teknikun, por kritikat nuk mungojnë. Të fundit, sipas rendit kronologjik, vijnë nga Manfred Bender, ish-lojtar i Bayernit në vitet ’80 dhe ’90 dhe kampion i Bundesligës.

Ish-lojtari, në një intervistë për Sportradio Deutschland, sulmoi hapur Nagelsmann: “Edhe një bukëpjekës mund të drejtojë Bayernin. Nuk ka nevojë të jesh trajner i mirë, thjesht duhet të jesh në gjendje të menaxhosh ekipin. Por as këtë Nagelsmann nuk mund ta bëjë dot”.

BENDER: “DUHET TË BËJË NJË HAP PRAPA”
35-vjeçari, sipas Bender, nuk i ka aftësitë, por kjo nuk është e gjitha. Qëndrimi i trajnerit, sipas ish-lojtarit të Bayernit, nuk është i mirë. Duket sikur, thekson Bender, ai dëshiron të jetë mik me lojtarët: “Julian më jep ndjesinë se ai dëshiron të konsiderohet i barabartë me lojtarët, por tani ai është te Bayern Mynih. Ai duhet të bëj një hap prapa”.