Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë nëpër fshatra e qytete, por së fundmi ata ia kanë mësyrë edhe lagjeve luksoze në Prishtinë dhe përreth kryeqytetit. Sinjali mëson se rasti i fundit ka ndodhur në lagjen Qëndresa në Veternik, ku hajnat kanë bërë kërdi në një shtëpi.
Të dyshuarit arritën të marrin mijëra euro para të gatshme, stoli të arit, pajisje teknologjike, e gjësende me vlerë nga shtëpia e një qytetari që banon në këtë lagje. Rasti u denoncua të hënën në Polici, me ç’rast Gazeta Sinjali ka mësuar detajet.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se hajnat kanë arritur të depërtojnë me forcë shtëpisë, prej ku kanë vjedhur mbi 17 mijë euro dhe gjësende, e më pas janë larguar pa lënë shumë gjurmë. Gjithçka dyshohet se ndodhi brenda pak minutave, në orët e mbrëmjes.
Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, që ka dhënë detaje se si hajnat depërtuan brenda shtëpisë me forcë, derisa familja nuk ndodhej aty, periudhë kjo që u shfrytëzua nga të dyshuarit. I shqetësuar jashtëzakonisht për rastin që i ndodhi, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kryen veprën.