Sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha, vlerëson se Shqipëria ka nivelin për ta fituar grupin në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Kuqezinjtë janë grumbulluar të hënën, ndërsa të shtunën në Pragë të Çekisë luajnë ndaj Ukrainës. Në Grupin 1 të Ligës B janë edhe Çekia e Gjeorgjia. Grupi vlerësohet i fortë, por futbollisti i Dinamo Zagrebit është optimist.
“Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi Kombëtare shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin për Kombëtaren tonë”, ka thënë Hoxha për FSHF-në.
25-vjeçari ka debutuar te Shqipëria më 22 mars të këtij viti. Tashmë i ka luajtur shtatë ndeshje, prej tyre tri në Evropianin në Gjermani. Roli i tij ishte i kufizuar, ndërsa nuk e ka kompletuar ende asnjë ndeshje me kuqezinjtë. Por dukshëm më tepër përgjegjësi pritet të ketë në ciklin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
“Ukraina është kundërshtare e fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe do të fokusohemi 100 për qind që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, ka theksuar Hoxha.
Ukraina ndeshjet si vendase i luan në shtete të tjera për shkak të luftës. Për këtë arsye ndeshja e së shtunës zhvillohet në Pragë.
Të martën e ardhshme, Shqipëria e pret Gjeorgjinë në Tiranë.
“Është një ndjenjë e mirë sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin ‘Air Albania’. I bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe ta mbushin stadiumin”, ka thënë Hoxha.
Edhe Taulant Seferi ka vlerësuar se Shqipëria është në grup të fortë. Por pas kualifikimit dhe paraqitjes së dinjitetshme në Euro 2024, nga Shqipëria kërkohen rezultate edhe në Ligën e Kombeve. Liga B është niveli i dytë i Ligës së Kombeve.
Sulmuesi Seferi ka theksuar se synim ndaj Ukrainës është fitorja.
“Ukraina dhe Gjeorgjia janë dy kundërshtare shumë të forta. Kemi filluar përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Ukrainës dhe po shkojnë shumë mirë. Kemi edhe disa ditë për të marrë më shumë informacion për ekipin kundërshtar dhe duhet të futemi në fushë për të dhënë maksiumumin. Të gjithë e dimë se Ukraina është një kombëtare fizike shumë e fortë dhe duhet të përgatitemi në maksimum. E njoh kampionatin e Ukrainës dhe disa lojtarë që luajnë atje, është një kombëtare shumë fizike pasi atë stil loje ka. Ukraina është kundërshtare shumë e fortë dhe duhet të përgatitemi mirë për të dhënë maksimumin”, ka thënë Seferi.
Shqipëria do të jetë pa lojtarë të rëndësishëm në këto dy ndeshje. Ndër të tjera mungojnë kapiteni Berat Gjimshiti dhe sulmuesi Armando Broja. /KOHA.net/