I arrestuari për vrasjen e Ivanoviqit është në Listën e Zezë të SHBA-ve





38 vjeçari Millan Mihaloviq i arrestuar mbrëmë si i dyshuar për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq me 16 janar të vitit 2018, është në listën e personave ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione.

Ai ishte përmendur edhe më herët si njëri nga të dyshuarit në këtë rast, por nuk ishte përfshirë në aktakuzën e ngritur.
Mihailoviq është një nga nëntë bashkëpunëtorët e Zvonko Veselinović-it që kanë punuar për të ose në emër të tij, poashtu i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta Sinjali më parë ka raportuar se i dyshuari është arrestuar rreth orës 22.20 në një kafiteri në Leposaviq.
Sipas organit të akuzës ai dyshohet se si anëtar i grupit kriminal të organizuar ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe vrasje e rëndë.

I njëjti që nga fillimi i vitit 2019, ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, edhe pse ka pasur urdhërarrest në fuqi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.