Zjarri që mori jetën e 19 të rinjve në një konvikt në Guajana të dielën, u ndez nga një adoleshente e cila ishte e pakënaqur që zyrtarët e konviktit i kishin marrë telefonin mobil, thanë autoritetet për AFP.
“Studentja dyshohet se ka shkaktuar zjarr shkatërrues pasi i është marrë telefoni”, tha policia, transmeton Telegrafi.
Zjarri shpërtheu të dielën në mbrëmje në Mahdia, një qytet minierash në Guajana, një vend i vogël anglishtfolës në Amerikën e Jugut.
Zyrtarët e konviktit “i morën telefonin dhe vajza kërcënoi se do t’i vinte zjarrin ndërtesës po atë mbrëmje dhe të gjithë e dëgjuan”, tha një burim qeveritar për AFP të martën, duke folur në kushte anonimiteti, duke pretenduar se vajza kishte rrëfyer.
“Studentët nuk lejohen të përdorin telefona. Zyrtarët i gjetën, me sa duket ajo po dërgonte foto”, shtoi burimi.
Adoleshentja, aktualisht shtruar në spital nën mbikëqyrjen e policisë, ka shkuar në tualet, ka spërkatur me insekticid perden dhe e ka ndezur me shkrepëse. Disa vajza të reja dhanë të njëjtin version për shkakun e aksidentit.
Sipas studentëve, ata ishin duke fjetur dhe janë zgjuar nga ulërimat. Panë zjarr dhe tym në tualet, që u përhap shpejt nëpër ndërtesën pjesërisht prej druri, tha policia.
Drama u rëndua edhe më shumë nga fakti se menaxheri i shtëpisë, në panik, nuk mundi të gjente çelësin e derës së daljes së pallatit, dritaret e së cilës kishin hekura. Dyert mbylleshin çdo natë në orën 21:00.
Burrat thyen derën për t’ua mundësuar të mbijetuarve të shpëtojnë. Zjarrfikësit dhe policia mbërritën 25 minuta pas fillimit të fatkeqësisë.
Guajana, një vend i vogël dhe i varfër anglishtfolës prej 800 mijë banorësh, një ish-koloni holandeze dhe më pas britanike, ka rezervat më të mëdha të naftës për kokë banori dhe pret zhvillim të shpejtë në të ardhmen e afërt kur të shfrytëzohen rezervat, që është vetëm fillimi./Insajderi