Kampionët e futsallit priten nga krerët institucionalë në Bujanoc!

Klubi i futsallit BESA 1983, i cili javën e kaluar u shpall kampion i Ligës “Jug” në futsall pas një sezoni historik pa asnjë humbje dhe pa asnjë barazim, është pritur sot në takime të ndara nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti dhe kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, transmeton Spektri.

Kampionët e Besës u pritën me urime dhe mirënjohje për suksesin e jashtëzakonshëm që sollën për sportin dhe qytetin e Bujanocit, duke e përmbyllur sezonin në mënyrë perfekte dhe duke dominuar kampionatin rajonal.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, përmes një njoftimi publik tha se pati kënaqësinë të presë kampionët e FC BESA 1983, të cilët, sipas tij, “me suksesin e tyre na kanë bërë krenarë të gjithëve”. Ai i përgëzoi lojtarët dhe stafin për sezonin fantastik dhe shpirtin luftarak të treguar gjatë gjithë kampionatit, duke u uruar suksese edhe më të mëdha në sfidat e ardhshme.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, vlerësoi suksesin e klubit si një përfaqësim të denjë të vlerave shqiptare në Luginë përmes sportit. Ai theksoi se FC BESA 1983 arriti titullin kampion pa asnjë humbje e pa asnjë barazim, duke falënderuar lojtarët dhe stafin për emocionet e dhuruara gjatë sezonit.

“Sot, me kupën në dorë dhe plot krenari në zemër, ata i mirëpritëm në Këshillin Kombëtar Shqiptar”, ka shkruar Rexhepi, duke shtuar se mbështetja për sportistët shqiptarë nuk do të mungojë.

Triumfi i FC BESA 1983 po konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha sportive të viteve të fundit në Bujanoc, ndërsa festa e kampionëve vazhdon të marrë vëmendje të madhe nga institucionet dhe qytetarët.