Instituti Hidrometeorologjik i Serbisë ka paralajmëruar mot të paqëndrueshëm në territorin e Serbisë gjatë ditës së sotme dhe të martës, me mundësi për reshje intensive, bubullima, erëra të fuqishme dhe paraqitje lokale të breshërit.
Sipas njoftimit, paraditja do të jetë pjesërisht e vranët, e ngrohtë dhe me intervale me diell. Ndërsa pasdite dhe në mbrëmje, në pjesët perëndimore, veriore dhe lindore të vendit priten reshje shiu dhe rrebeshe lokale të shoqëruara me bubullima. Në disa zona mund të ketë edhe sugradicë ose breshër të imët.
Era do të fryjë e dobët deri mesatare, ndërsa gjatë pasdites në disa rajone mund të forcohet, duke fryrë nga jugu dhe jugperëndimi. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 23 deri në 28 gradë Celsius.
Meteorologët paralajmërojnë se dita e martë do të jetë edhe më e paqëndrueshme në të gjitha rajonet e Serbisë. Rrebeshet dhe bubullimat pritet të shoqërohen me erë të fuqishme veriperëndimore, e cila në disa momente mund të arrijë intensitet stuhie, si dhe me paraqitje lokale të breshërit. Temperaturat do të shënojnë rënie.
Instituti ka bërë të ditur se paralajmërime urgjente për lokacione konkrete do të publikohen një deri në dy orë para përkeqësimit të motit.
Ndërkohë, të mërkurën dhe të enjten pritet stabilizim i përkohshëm i motit. Në shumicën e vendeve do të mbajë mot kryesisht me diell dhe mëngjese më të freskëta, ndërsa në jug dhe jugperëndim të Serbisë do të ketë vranësira të herëpashershme me mundësi për reshje të shkurtra shiu dhe bubullima.
Sipas parashikimeve, nga dita e premte moti sërish do të bëhet i paqëndrueshëm, fillimisht në zonat kodrinore-malore, ndërsa nga e shtuna edhe në pjesët tjera të vendit, me alternim të intervaleve me diell dhe reshjeve të shpeshta me bubullima./Spektri