Ardita Sinani, këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se sot u ndalua nga policia kufitare serbe për mbi një orë, në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë.
Sipas Sinanit, arsyetimi i vetëm që iu dha nga policët kufitarë të Serbisë është se “kanë urdhër për ndalim e saj dhe nuk mund ta lejojnë ta kaloj kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.
“Asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin” – shrkoi ajo në një postim në “Facebook”.
Ajo thotë se ky veprim “mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës”.“..por sigurisht nuk do të jet mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ky rast, sigurisht do të jetë vetëm shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë për diskriminimin shtetërorë serb ndaj shqiptarëve. E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë” – ka shkruar mes tjerash ish-kryetarja e Preshevës.
Në shtator të vitit 2022, kryeministri Albin Kurti e ka emëruar ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.