Kosova drejt hapjes së fabrikës për prodhimin e municionit dhe laborator për dronë

Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për fabrikën e municionit dhe zhvillimin e dronëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë duke folur për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin për nisjen e procedurave për hapjen e fabrikës për prodhim të municionit për ushtrinë tonë.

“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm që posa e nënshkrova dhe me një hap të domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Do të themelojmë komisionin ndërministror me qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri u shpreh se një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore.

“Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se qeveria ka treguar që mbrojta ka qenë ndër prioritetet tona kryesore.

“Kjo është dëshmuar në vazhdimësi si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar si me buxhetin për ministrinë e mbrojtjes që është trefishuar, trajnimet jashtë vendit që janë katërfishuar dhe investimet në armatim që janë shumëfishuar”, tha Kurti. /Telegrafi/