Kryetari i komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se Kosova ka filluar me kërkesat e saj ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Hoti tha se në shkresën e parë zyrtare drejtuar Serbisë, Kosova ka kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
“Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”, tha Hoti, transmeton Klankosova.tv.
Ai tha se është e natyrshme që shkresa e parë të fillojë me Drenicën, pasi sipas tij, pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar.