Kryetari i KKSh-së Enkel Rexhepi takohet me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, u prit në një takim zyrtar nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, si dhe për hapat konkretë për avancimin e të drejtave të tyre.

Rexhepi njoftoi se ka marrë mbështetje të plotë dhe pa rezerva për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për adresimin e problemeve të komunitetit shqiptar në Serbi.

Një nga çështjet kyçe të diskutuara ishte zbatimi i linjës buxhetore të ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës. Palët u dakorduan që këto fonde të përdoren në programe që synojnë ruajtjen, kultivimin dhe avancimin e identitetit kombëtar shqiptar në këtë rajon, duke u përqendruar në përkrahjen e arsimit, kulturës dhe projekteve zhvillimore.

Rexhepi theksoi se bashkëpunimi institucional është çelësi për forcimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe garantimin e një të ardhmeje më të mirë për ta. Ai vlerësoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Luginës në përballimin e sfidave politike, ekonomike dhe shoqërore.

Ky takim konfirmon vazhdimësinë e angazhimit të institucioneve të Kosovës për mbështetjen e komunitetit shqiptar në Serbi dhe synon krijimin e mekanizmave më të qëndrueshëm për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e tyre.