Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen të hënën më 27 shkurt në Bruksel.
Takimi do të mbahet në kuadër të vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thuhet në njoftimin për media të BE-së.
“Të hënën, më 27 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendës Presidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçák, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët dhe më pas do të mbahet një takim i përbashkët.
Sipas njoftimit në fokus të takimit do të jetë Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq herën e fundit që janë takuar në kryeqytetin belg ishte në vitin e kaluar.