Kuvendi i Kosovës miraton Projektligjin që u mundëson shqiptarëve të Luginës të blejnë prona në Kosovë

“Miratohet Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj, i mundësohet qytetarëve të Luginës të bëhen pronarë të paluajtshmërive në Republikën e Kosovës”.

Kuvendi i Kosovës, me 65 vota për, ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj.

Kështu siç njofton Ministria e Drejtësisë iu mundësohet qytetarëve të Luginës së Preshevës të bëhen pronarë të paluajtshmërive në Kosovë.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu ka thënë se me këtë qytetarët e komunitetit shqiptar nga Lugina do të përjashtohen nga kufizimet e reciprocitetit dhe mund të jenë titullarë të të drejtave pronësore në Kosovë, sipas kushteve të përcaktuara në ligjin bazik, njëjtë sikurse qytetarët e Kosovës, pa pasur nevojë të verifikojnë apo përcaktojnë reciprocitetin me shtetin shtetësinë e të cilin e kanë.

Tutje, Haxhiu ka shtuar se me këtë projektligj do të lehtësohen procedurat për qytetarët nga Lugina (persona fizik dhe juridik), për fitimin e të drejtës pronësore në Kosovë.