Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social përmes një vendimi të dërguar Këshillit Kombëtar Shqiptar ka njoftuar se ka anuluar vendimin e KKSH-së për bujqit shqiptarë të cilët përmes konkursit publik di të subvencionoheshin nga fondet e Republikës së Kosovës.
Ministria gjithashtu ka refuzuar regjistrimin e kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, për procedurat e votimit.
Enkel Rexhpi ishte zgjedhur kryetar i KKSH-së më 27 dhjetor, gjatë seancës së rregullt.
Ky është reagimi i Enkel Rexhepit:
Pretendimi se kandidatura për kryetar nuk u dorëzua brenda afatit të parashikuar është një alibi e pastër politike, e përdorur për të paralizuar funksionimin e Këshillit.
Ky veprim synon të krijojë një ngërç institucional, duke i mohuar shqiptarëve të drejtën për të udhëhequr dhe përfaqësuar veten në një organ që supozohet të jetë autonom.
Kjo qasje e hapur diskriminuese dëshmon se Serbia nuk e ka qëllim respektimin e të drejtave të pakicave, por synon të kontrollojë dhe dobësojë çdo institucion shqiptar që përpiqet të funksionojë në përputhje me ligjin dhe të mbrojë të drejtat e komunitetit të tij.
Ky është një sulm i koordinuar politik dhe institucional ndaj shqiptarëve të Luginës
Këto dy vendime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të shtetit serb për të shuar çdo përpjekje për zhvillim dhe përfaqësim të shqiptarëve në Serbi. Ato pasojnë një varg masash diskriminuese si passivizimi i adresave, margjinalizimi ekonomik dhe ndalimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucione.
Këshilli Kombëtar Shqiptar paralajmëron masa ligjore dhe diplomatike
Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk do ta pranojë këtë dhunë administrative dhe do të ndjekë të gjitha rrugët për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës:
Do të parashtrojë padi në Gjykatën Administrative të Serbisë për shfuqizimin e këtyre vendimeve arbitrare dhe diskriminuese.
Do të njoftojë institucionet ndërkombëtare dhe organizatat për të drejtat e njeriut për ndërhyrjen brutale të shtetit serb ndaj institucioneve shqiptare.
Do të kërkojë reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, duke theksuar se veprime të tilla janë të papajtueshme me rrugën e pretenduar evropiane të Serbisë.
Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk do të heshtë dhe nuk do të lejojë që shqiptarët e Luginës të shndërrohen në qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm ndaj të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe ndaj çdo përpjekjeje për të ndihmuar komunitetin tonë të mbijetojë dhe të zhvillohet.
Ne nuk do të nënshtrohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona deri në fund.
Enkel Rexhepi
Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar