NATO-ja shton forcat në Kosovë

Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

Kështu ka bërë të ditur NATO-ja përmes një postimi në Twitter.

Pjesëtarë të KFOR-it janë përleshur të hënën, 29 maj, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën komunale.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar se Kosova duhet t’i pezullojë operacionet e policisë së saj rreth ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, si hap i parë për uljen e tensioneve.

“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës, që e kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme”, tha Borrell për gazetarët në Bruksel, raporton REL.

“Ne, si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe të stabilitetit në Kosovë”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Borrell ka thënë se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe se i ka ftuar “ta qetësojnë situatën menjëherë dhe pa kushte”.