Në mesin e të arrestuarve për fajde edhe biznesmeni i njohur!





Aksioni kundër fajdes i zhvilluar gjatë ditës së djeshme në disa qytete të vendit, në biznese të ndryshme, rezultoi me arrestimin e 14 personave, disa prej të cilëve pronarë të auto salloneve e kompanive të tjera, të dyshuar për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij operacioni, u konfiskuan mbi 20 vetura, rreth 84 mijë euro, armë e prova të tjera, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mbrëmë ka publikuar ekskluzivisht listën me emrat e të gjithë personave të arrestuar, bizneset e bastisura dhe detajet tjera.

Në mesin e bizneseve që ishin cak i bastisjes është edhe kompania ‘Dona Laberion’ e cila bën prodhimin dhe distribuimin e lëngjeve EKOfrut, EKS, DONA dhe PUNCH.

Kjo kompani është në pronësi të biznesmenit llapjan, Bashkim Osmani.

Sinjali mëson se Osmani është arrestuar gjatë aksionit të djeshëm policor dhe i njëjti ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Ai është edhe kryetar i Shoqatës së Afaristëve të Podujevës.

Po ashtu dje u bastis edhe Ndërmarrja tregtare “Euro Abi”, që funksionon në tri njësi, dy prej tyre në magjistralen Prishtinë – Ferizaj dhe një në Graçanicë.

Sinjali mëson se pronari i këtij biznesi që përfundoi në prangat e Policisë është Shefik Rexhepi (tash Zeqiri), i cili është dërguar në mbajtje. Përveç biznesit, atij iu bastis edhe shtëpia në fshatin Mogillë, në komunën e Kllokotit.

Ky biznes është i regjistruar në ARBK në emër të Kadrush Rexhepit, familjarit të Shefikut.

Por cilat janë Auto sallonet dhe bizneset tjera që u bastisën, disa prej pronave të të cilave përfunduan sot në prangat e Policisë?

Auto salloni Besa në magjistralen Prishtinë – Ferizaj: Besnik Salihu dhe Fadil Salihu (Fadil Salihu, i arrestuar)

Auto salloni Lipjani në magjistralen Prishtinë – Ferizaj: Egzon Salihu (pronari i arrestuar

Auto salloni Fita në magjistralen Prishtinë – Ferizaj: Fitim Vërshevci

Auto salloni Iliri në magjistralen Prishtinë – Ferizaj: Ilir Vërshevci

Auto sallon Royall në Emshir në Prishtinë: Kreshnik Dervishi

Auto salloni Buna M në Vushtrri: Ajvaz Muzaqi (pronari i arrestuar)

Auto sallon Binni nëVushtrri: Ibrahim Gërbeshi

Ndërmarrja prodhuese Dona Laberon në Podujevë: Bashkim Osmani (pronari i arrestuar)

Kush janë të arrestuarit e tjerë?

Listën me emrat e personave të arrestuar, të cilët ndodhen nën masën e ndalimit, nën dyshimin se kanë kryer tri vepra penale, Sinjali e ka publikuar ekskluzivisht dje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gjatë kontrolleve që janë kryer në të gjitha lokacionet janë konfiskuar rreth 20 vetura, rreth 8 armë e dhjetëra fishekë, shufra e prova të tjera, që do të shfrytëzohen si dëshmi. Sinjali mëson se gjatë këtij aksioni janë konfiskuar edhe rreth 84 mijë euro para të gatshme.

Të dyshuarit që u kapën dyshohen për veprat penale të fajde, detyrimit dhe Shmangies nga tatimi.

“Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së“, njoftoi Prokuroria.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.