“Nuk e braktis Juven”, lojtari i cili refuzoi kalimin tek United





Manchester United ishte shumë pranë firmës me Adrien Rabiot në merkaton e verës, Juventusi pranoi shitjen e mesfushorit francez, por ky i fundit nuk gjeti akordin me “Djajtë e Kuq” si pasojë e pretendimeve të larta në lidhje me pagën sezonale.

Por, përpara se të fokusoheshin te Rabiot, drejtuesit e klubit anglez tentuan një tjetër mesfushor të bardhezinjve: Manuel Locatellin. Gjithsesi, 24-vjeçari italian refuzoi transferimin në “Old Trafford”.

Sky Sport zbulon se sapo mori vesh për interesimin e United, Locatelli nuk u mendua gjatë dhe u dha përgjigje negative anglezëve, duke theksuar se dëshira e tij ishte të mos largohej nga rekordmenët e futbollit italian.

Mesfushori, i cili fitoi Euro 2020 me kombëtaren italiane, u transferua nga Sassuolo te Juventusi verën e kaluar. Dy klubet ranë dakord për huazimin 2-vjeçar të tij, me “Zonjën” që do e ketë detyrim blerjen e mesfushorit në fund të këtij sezoni për 25 milionë euro, shumë të cilës do i shtohen edhe 12.5 milionë të tjera në formë bonusesh.