Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u është përgjigjur Shteteve të Bashkuara të Amerikës që dënuan ndërhyrjen e Policisë në veri të Kosovës për t’ua mundësuar kryetarëve të ri të tri komunave veriore që të hyjnë në objekte komunale.
Ajo ka cituar nenin 2 të Kushtetutës së Kosovës që thotë se: Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës)
“Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Ajo megjithatë ka thënë se “qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”.
“Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!” ka përfunduar reagimin e saj Osmani.
Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.
Pas tensioneve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për masa të dhunshme në veri. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se këto aksione “të Qeverisë së Kosovës po përshkallëzojnë situatën në veri”./Koha.net