Vuçiq për veriun: S’ka pasur kurrë krizë më të madhe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur krizë më të madhe dhe më të rëndë sesa të premten në veri të Kosovës. Për këtë, Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia nuk do të rri duarkryq.

Vuçiq ka thënë se pasi ta mbarojnë tubimin në Beograd, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të diskutuar atë që ka ndodhur sot në veri të Kosovës.

“Sikur me dashje prisnin që njerëzit nga veriu i Kosovës të vinin në Beograd, u sulmuan ndërtesat komunale, dhe përfaqësuesit e QUINT-it heshtën për të gjitha këto, dhe tani po e dënojnë, kur shqiptarët kanë mbaruar punë. Nuk kemi pasur krizë më të madhe dhe më të rëndë. Sapo të përfundojë ky tubim do të kemi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të biseduar për atë që do të ndodhë në Kosovë dhe kam frikë që do të ndodhin shumë gjëra të këqija sepse e dimë me kë kemi të bëjmë”, ka thënë ai para mijërave njerëzve të tubuar në një miting në Beograd.

Qindra autobusë udhëtuar nga veriu i Kosovës në Beograd ditën e sotme për të marrë pjesë në mitingun e thirrur nga partia e Vuçiqit.

Të premten kryetarët e rinj të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan tentuan të hynin në objektet komunale, një ditë pas betimit, por u përballën me qytetarë serbë që bllokuan hyrjet e objekteve komunale. Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa të paktën dy kryetarë mësohet të kenë hyrë në objektet komunale.

Nga incidentet e sotme në veri, pesë policë janë lënduar, por më pas u janë kthyer detyrave policore. Ndërkohë, janë dëmtuar edhe katër automjete, përfshirë një i djegur. Është sulmuar edhe ekipi i KOHËS.

Pas tensioneve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për masa të dhunshme në veri. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se këto aksione “të Qeverisë së Kosovës po përshkallëzojnë situatën në veri”.