Ka mundësi të mëdha që inteligjenca artificiale ta përmirësojë jetën e njerëzve në mënyra të jashtëzakonshme. Tashmë është duke ndihmuar në zbulimin e antibiotikëve, duke bërë që të paralizuarit të mund të ecin përsëri e edhe duke adresuar çështje si ndryshimet klimatike dhe pandemitë
Ekspertët e inteligjencës artificiale përgjithësisht ndjekin një nga dy shkollat e mendimit – ose do ta përmirësojë jashtëzakonisht jetën, ose do t’i shkatërrojë të gjithë. Dhe kjo është arsyeja pse debati i kësaj jave në Parlamentin Evropian mbi mënyrën se si rregullohet teknologjia është kaq i rëndësishëm. Por, si mund të bëhet e sigurt AI? Këtu janë pesë nga sfidat përpara:
Të rënit dakord çfarë është inteligjenca artificiale
Parlamentit Evropian i janë dashur dy vjet për të nxjerrë një përkufizim të një sistemi AI – softuer “për një grup të caktuar objektivash të përcaktuara nga njeriu, mund të gjenerojë rezultate të tilla si përmbajtje, parashikime, rekomandime ose vendime që ndikojnë në mjediset me të cilat ndërveprojnë”.
Këtë javë po votohet mbi Aktin për Inteligjencën Artificiale – rregullat e para ligjore të llojit të tyre për AI-në, të cilat shkojnë përtej kodeve vullnetare dhe kërkojnë që kompanitë të respektojnë.
Arritja e marrëveshjes globale
Ish-kryesuesja e Zyrës së Mbretërisë së Bashkuar për Inteligjencën Artificiale, Sana Kharaghani, ka thënë se teknologjia nuk ka respekt për kufijtë.
“Ne duhet të kemi bashkëpunim ndërkombëtar për këtë – e di se do të jetë e vështirë”, ka theksuar ajo për BBC-në. “Kjo nuk është çështje e brendshme. Këto teknologji nuk qëndrojnë brenda kufijve të një vendi”.
Por nuk ka plan për një rregullator global të AI-së të stilit të Kombeve të Bashkuara – edhe pse disa e kanë sugjeruar – dhe territore të ndryshme kanë ide të ndryshme:
Propozimet e Bashkimit Evropian janë më të rreptat dhe përfshijnë klasifikimin e produkteve të AI-së në varësi të ndikimit të tyre – një filtër i e-mailave mashtrues, për shembull, do të kishte rregullim më të lehtë sesa një mjet për zbulimin e kancerit.
Mbretëria e Bashkuar po e përgatit rregulloren e AI-së në rregullatorët ekzistues – ata që thonë se teknologjia i ka diskriminuar, për shembull, do të shkojnë në Komisionin e Barazive.
Shtetet e Bashkuara kanë vetëm kode vetërregulluese. Ligjvënësit në një seancë dëgjimore të komitetit të AI-së së fundmi kanë pranuar shqetësimet nëse janë të gatshëm për këtë detyrë.
Kina synon t’i detyrojë kompanitë të njoftojnë përdoruesit sa herë që përdoret një algoritëm i inteligjencës artificiale.
Sigurimi i besimit publik
“Nëse njerëzit i besojnë, atëherë ata do ta përdorin”, ka thënë, Jean-Marck Leclerc, kreu i çështjeve ligjore në Korporatën IBM për Evropë (International Business Machines).
Ka mundësi të mëdha që AI ta përmirësojë jetën e njerëzve në mënyra të jashtëzakonshme. Tashmë është duke ndihmuar në zbulimin e antibiotikëve, duke i bërë të paralizuarit të ecin përsëri, por edhe duke adresuar çështje të tjera si ndryshimet klimatike dhe pandemitë.
Por, ç’të thuhet për shqyrtimin e aplikimeve për punë ose parashikimin se sa ka gjasa që dikush të kryejë krim?
Parlamenti Evropian dëshiron që publiku të informohet për rreziqet që sjell çdo produkt i AI-së.
Kompanitë që thyejnë rregullat mund të gjobiten me 30 milionë euro ose 6% të qarkullimit vjetor.
Por, a mund të parashikojnë apo kontrollojnë zhvilluesit se si mund të përdoret produkti i tyre?
Kush i shkruan rregullat?
Deri më tani inteligjenca artificiale ka qenë kryesisht e vetërregulluar.
Kompanitë e mëdha kanë thënë se funksionojnë me rregullat e qeverive – “kritike” për të zbutur rreziqet e mundshme, sipas Sam Altman, shef i “OpenAI”, krijues i ChatGPT-së.
Por a do t’i vënë ata fitimet para njerëzve nëse përfshihen shumë në shkrimin e rregullave?
Mund të vihet bast se ata duan të jenë sa më afër ligjvënësve të ngarkuar me përcaktimin e rregulloreve.
Dhe themeluesja e Lastminute.com, Baronesha Lane-Fox, ka thënë se është e rëndësishme të dëgjosh jo vetëm korporatat.
“Ne duhet të përfshijmë shoqërinë civile, akademinë, njerëzit që preken nga këto modele dhe transformime të ndryshme”, është shprehur ajo.
Veprimi i shpejtë
Microsoft, i cili ka investuar miliarda dollarë në ChatGPT, dëshiron që “të heqë nga puna mundimin”.
Mund të gjenerojë prozë dhe përgjigje tekstuale të ngjashme me njeriun por, siç ka thënë Altman, kjo është “një mjet, jo një krijesë”.
Chatbotet supozohet t’i bëjnë punëtorët më produktivë.
Dhe në disa industri AI-ja ka kapacitetin për të krijuar vende pune dhe për të qenë një asistent i mrekullueshëm.
Por të tjerët i kanë humbur tashmë. Muajin e kaluar BT njoftoi se inteligjenca artificiale do të zëvendësojë 10 mijë vende pune.
ChatGPT hyri në përdorim publik pak më shumë se gjashtë muaj më parë. Tani mund të shkruajë ese, të planifikojë pushimet e njerëzve dhe të kalojë provimet profesionale.
Aftësia e këtyre modeleve gjuhësore në shkallë të gjerë po rritet me një ritëm fenomenal.
Dhe dy nga tre “kumbarët” e AI-së – Geoffrey Hinton dhe Prof Yoshua Bengio – kanë qenë ndër të parët që kanë paralajmëruar se teknologjia ka një potencial të madh për dëme.
Akti i Inteligjencës Artificiale nuk do të hyjë në fuqi të paktën deri në vitin 2025 – “shumë vonë”, ka theksuar shefja e teknologjisë e BE-së, Margrethe Vestager.
Ajo po harton një kod të përkohshëm vullnetar për sektorin, së bashku me SHBA-në, i cili mund të jetë gati brenda javësh./Koha.net