Një instalim i madh që përfaqësoi krimet e rusëve në Ukrainë bllokoi rrugën e ambasadorit të Rusisë në Poloni teksa ai deshi të vendoste një kurorë në memorialin për ushtarët sovjetikë në Varshavë në Ditën e Fitores.
Instalimi përfshiu qindra flamuj kaltër e verdhë dhe kryqe si simbol varri për ukrainasit e vrarë nga rusët gjatë luftës së nisur nga Moska vitin e kaluar.
Një pellg gjaku i rremë poshtë kryqeve theksoi mesazhin e protestës, e cila u krijua nga Euromaidan-Warszawa, një nismë qytetare që mbështet Ukrainën, raportoi AP.
Organizatorja Viktoria Pogrebniak ka thënë se instalimi, i ngritur në zonën memoriale të Ushtrisë së Kuqe, kishte për qëllim të luftonte kundër propagandës ruse, dhe “t’i tregoj pamjen e vërtetë botës”.
“Ne bombardohemi, ne vritemi, ne përdhunohemi. Ne vritemi sepse jemi ukrainas”, ka thënë Pogrebniak.
Ajo ka shtuar se ambasadori dhe diplomatët e tjerë rusë do të duhet të ecin mbi kufomat simbolike të ukrainasve “ose duhet të kalojnë nëpër shkurre”, nëse duan të arrijnë te memoriali.
Me rrugën e bllokuar, ambasadori Sergej Amdreev la kurorën me trëndafila përpara qindra flamujve ukrainas teksa altoparlantët kumbonin nga tingujt e bombave dhe sirenave ajrore.