“Do të bëj masakër më zi se në Mlladenovc”, kërcënimi i 53-vjeçarit nga Beogradi që iu caktua paraburgimi

Gjykata në Serbi ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Tretë Themelore të Beogradit për t’ia caktuar masën e ndalimit prej 30 ditësh të dyshuarit L.N (53 vjeç) pasi i njëjti ka kërcënuar kolegët në vendin e punës.

Siç shkruan Nova.rs, ai ka paralajmëruar se do të bëjë një masakër të më të madhe se ajo që ndodhi në disa fshatra të Beogradit, transmeton Express.

“Nuk do të leh, por do të bëj masakër këtu më të madhe se në Mlladenovc, fillimisht do të vras katin e parë, e pastaj gjithë të tjerët”, citohet të ketë thënë i arrestuari.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur municion, përkatësisht 84 (tetëdhjetë e katër) fishekë të kalibrit 7.62 mm, njofton prokuroria.

Sipas vendimit të Prokurorisë së Tretë Themelore Publike në Beograd, ai akuzohet për rrezikim të sigurisë, prodhim të paligjshëm, posedim, mbajtje dhe trafikim të armëve dhe lëndëve shpërthyese.

Lidhur me këtë, pas marrjes në pyetje të të dyshuarit, prokuroria ka propozuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi ekzistojnë rrethana të veçanta që tregojnë se ai do të ndërhyjë në procedurë duke ndikuar te dëshmitarët, gjë që është përcaktuar me vendim të gjykatës.