Qeveria e Serbisë ka ndryshuar Rregulloren për kufizimin e çmimit të ushqimeve bazë dhe në nenin e ndryshuar thuhet se “çmimi maksimal me pakicë i sheqerit të bardhë kristal, në të gjitha paketimet, nuk duhet të kalojë 114,99 dinarë për kilogram”.
Sipas nenit të mëparshëm të rregullores, çmimi maksimal i sheqerit ishte 109,99 dinarë për kilogram.
“Çmimi maksimal i prodhimit të sheqerit të kristalit të bardhë, në pako nga një kilogram, pesë kilogramë dhe dhjetë kilogramë, nuk duhet të kalojë 95,00 dinarë për kilogram”. Çmimi maksimal i prodhimit të sheqerit të bardhë kristal për të gjitha pako të tjera nuk duhet të kalojë 104,54 dinarë për kilogram”, thuhet në ndryshimet e reja të nenit të rregullores.
Qeveria në seancë ka ndryshuar edhe Rregulloren për kufizimin e çmimit të peletit dhe e ka zgjatur çmimin aktual në 180 ditë, në vend të 90 ditëve të mëparshme.
Sipas asaj rregulloreje, çmimi maksimal me pakicë i peletit nuk mund të kalojë 38.000 dinarë për ton në të gjitha paketimet.
Thuhet se nuk lejohet llogaritja e tarifave apo kostove të tjera që nuk parashikohen nga kjo rregullore apo rregullore të tjera të veçanta për çmimin maksimal të shitjes me pakicë të peletit.